Ministri i Mbrojtjes, Armend Mehaj, ka njoftuar se këtë të premte është shtuar numri i oficerëve shtabor të Forcave të Sigurisë së Kosovës të cilët janë të diplomuar në qendrat akademike të vendeve partnere.

Tutje, Mehaj ka bërë të ditur emrat e tre oficerëve të FSK-së të cilën kanë diplomuar në kuadër të bashkëpunimit bilatëral në fushën e arsimimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë.

“Në kuadër të bashkëpunimit bilateral në fushën e arsimimit me Ministrinë e Mbrojtjes së Turqisë, në Universitetin e Mbrojtjes Kombëtare në Kursin për Oficer Shtabor në Stamboll, diplomuan me sukses të lartë oficerët tanë: kapiten Afrim Zabeli, kapiten Egzon Syla dhe kapiten Ruzhdi Ali”, ka shkruar Mehaj në llogarinë e tij në Facebook.

Sipas Mehajt, shtimi i numrit të oficerëve të diplomuar paraqet një sukses.

“Me këtë sukses shtohet numri i oficerëve shtabor të FSK-së me aftësi akademike dhe profesionale në fushën e menaxhimit të operacioneve në nivel operativ dhe taktik, procesin e vendimmarrjes dhe analizës ushtarake, parimet dhe procedurat e planifikimit të trajnimit operacional, menaxhimin dhe lidershipin etj”, ka thënë Mehaj, ndërsa, ka shtuar se oficerët e kanë përfaqësuar denjësisht vendin dhe ushtrinë e Kosovës.

“Oficerët tanë përfaqësuan denjësisht vendin dhe ushtrinë tonë në mesin e 43 oficerëve nga shtatë vende dhe forcave tjera”, ka shtuar ai./TV Malisheva

Share.