Kryetari i Bordit të ZRrE-së, Ymer Fejzullahu, e ka cilësuar si problem politik veriun e Kosovës ku s’do të aplikohet shtrenjtimi i rrymës.

“Ky është problem politik tash e njëzet vjet dhe Zyra e Rregullatorit për Energji nuk mund ta zgjidhë. Ne do të donim që ky proces të zgjidhej sot, por kjo çështje është diskutuar prej vitesh në nivel të dialogut [për normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi] në Bruksel dhe shpresojmë që të zgjidhet së shpejti”, thotë Fejzullahu.

Fejzullahu është pyetur se si e komenton faktin se veriu i Kosovës nuk paguan rrymën e shpenzuar tash e dy dekada.

“Nuk e di nëse ia vlen të diskutohet fare”, ka thënë ai për Radion Evropa e Lirë.

Kosova, muajve të fundit, është duke u përballur me një krizë energjetike, për shkak të rritjes së çmimit të gazit në nivel botëror. Dhe, duke pasur parasysh se nuk prodhon mjaftueshëm energji elektrike, Kosova detyrohet të importojë me çmime më të shtrenjta.

Si pasojë e kësaj, çmimi i energjisë elektrike për konsumatorët që shpenzojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj.

Më 8 shkurt, Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE) në Kosovë ka miratuar tarifa të reja të rrymës, sipas të cilave, të gjithë ata që konsumojnë më shumë se 800 kilovatë në muaj, do të paguajnë më shtrenjtë.

Siç është njoftuar, rreth 20 për qind e konsumatorëve konsumojnë më shumë se 800 kilovatë rrymë në muaj.

Për ata që nuk konsumojnë më shumë se 800 kilovatë, çmimi i rrymës nuk ndryshon, gjegjësisht do të vazhdojnë të paguajnë 7 centë për kilovat gjatë tarifave të shtrenjta dhe 3 centë gjatë tarifave të lira.

/TV Malisheva

Share.