Bamjen ose e do ose e urren. Rrugë të mesme nuk ka. Bamja qëndron në majë të piramidës ushqimore si një super zarzavat. Duke e paragjykuar në shije, ne shpesh kemi neglizhuar vetitë ushqyese të saj.
Përmes këtij artikulli të AgroWeb.org, ne do t’ju japim mjaftueshëm arsye për ta konsumuar më shumë. Varietetet shqiptare të bamjes janë shumë të kërkuara si nga tregu vendas ashtu edhe për eksport.
Mund të përmendim bamjen e Oblikës e cila karakterizohet nga një trup i shkurtër me lartësi 40-50cm dhe 2-3 degëzime. Fruti përbëhet nga pesë brinjëzime me formë piramidale me gjatësi 8.5 cm dhe perimetër rreth 3.35cm. Po ashtu edhe kultivari vendas Libohova është një tjetër varitetet i kërkuar nga tregu.
Të mirat e të ngrënit bamje:
Ka pak kalori.
Bamja përmban vetëm 30 kalori për 100 gram dhe sugjerohet për të gjithë ata që duan të bien në peshë.
Nuk përmban yndyra të ngopura apo kolesterol.
Bamja kështu kthehet në një perim ideal për personat që vuajnë nga kolesteroli.
Shërben si një balancues sheqeri.
Ndihmon për të stabilizuar nivelin e sheqerit në gjak, duke ngadalësuar përthithjen e saj nga stomaku, duke kontrolluar në këtë mënyrë dhe diabetin.
Përmban shumë fibra dietike.
Kjo perime vepron si një laksativ natyral, duke ndihmuar në tretje.
Bamja gjithashtu ndihmon bakteret e shëndetshme që ndodhen në zorrë, si dhe ndihmon në ruajtjen e bilancit të pH në traktin tretës.
Është i pasur me vitaminë A dhe antioksidues të tjerë.
Duke qenë se bamja është e pasur me beta-karotenë, lutein dhe ksanthin, që së bashku me vitaminën A, ndihmojnë në përmirësimin e shikimit si dhe mbajnë lëkurën të freskët dhe të shëndetshme.
Bamja është e pasur me vitaminë C.
Duke qenë se vitamina C shërben dhe si një anti-inflamator, bamja është një zgjedhje e mirë për të ulur simptomat e azmës dhe për të parandaluar të ftohtin.
Përmban përqindje të larta të acidit folik.
100 gram bamje përmbajnë rreth 22% të sasisë ditore që i duhet trupit të njeriut.
Mbi të gjitha është tejet e këshillueshme në periudhën e para-fertilizimit dhe gjatë shtatzënisë, pasi ndihmon në parandalimin e defekteve në lindje. Ushqimet me acid folik ndihmojnë gjithashtu edhe në pastrimin e mushkërive.
Është e pasur me minerale.
Bamjet kanë nivele të larta të mineraleve që i duhen një organizmi për të qenë i shëndetshëm.
Përfshirë këtu hekurin, kalciumin, magnezin dhe manganezin.
Përmban dhe vitamin K.
Kjo vitamin që është shumë e nevojshme për shëndetin e kockave, si dhe luan një rol të rëndësishëm në kolaugimin e gjakut.
Si ta ruajmë
Sezoni i pikut të bamjes është stina e verës, megjithëse bamjet e ngrira i gjejmë gjatë të gjithë vitit në supermarkete.
Kur t’i zgjidhni bamjet, kërkoni ato që janë të plota dhe pa njolla. Bamjet e freskëta mund t’i ruani tek pjesa ku mbani zarzavatet në frigorifer për t’iu zgjatur jetën sa më shumë.
Duhen ruajtur në vend të freskët, pasi temperaturat e larta dhe të ulëta ndikojnë në kalbjen dhe prishjen e tyre. /Tv Malisheva