Melba Mebane nuk e kishte menduar kurrë se do të pushonte se punuari në dyqanin ku kishte punuar për 74 vjet – derisa trafiku i udhëtimit u bë i padurueshëm për të si 90-vjeçare.

“Sapo hyra në derë, vendosa çelësat e makinës në tavolinë, shikova djalin tim dhe i thashë: ‘Përfundoi’”, kujton Mebane.

“Dillard’s” ku ajo punonte në Tyler të Teksasit ishte vetëm 15 minuta larg me makinë nga shtëpia e saj, por trafiku ndonjëherë mund të dyfishonte kohen e udhëtimit. Ky u bë një shqetësim për të cilin Mebane, e cila mbush 91 vjeç në nëntor, nuk kishte më durim.

Ajo u tërhoq nga puna e saj si bashkëpunëtore e shitjeve në Dillard’s muajin e kaluar, duke lënë pas një karrierë që zgjati më shumë se shtatë dekada.

Mebane filloi të punonte si operatore e ashensorit në dyqanin Mayer & Schmidt në vitin 1949 kur ishte vetëm 17 vjeçe, ku u angazhua nëpërmjet një programi të studimeve në shkollën e mesme. Pastaj dyqani u ble nga “Dillard’s” në vitin 1956. Më vonë, ajo u transferua në departamentin e veshjeve për burra për të kaluar më pas në sportelin e kozmetikës, ku qëndroi derisa doli në pension.

“Ishin këto shporta dhuratash që njëra nga vajzat thjesht nuk mund t’i shiste,” thotë Mebane. “Ata më kërkuan të provoja unë këtë punë, kështu që unë dola nga prapa banakut në korridor dhe fola me njerëzit për shportat… Shita të gjitha. Kështu që më thanë se duhet të qëndroja këtu”, shprehet tutje ajo në rrëfimin se si filloi karriera e saj e gjatë.

Si iu bë puna familja e saj e dytë

Për Mebane, puna e saj në Dillard’s ka qenë gjithmonë “më shumë se një pagë”. Si një nënë beqare që punonte, kjo punë u bë si një “familje e dytë”, për të dhe djalin e saj Terry Mebane. “Dillards, dhe të gjithë bashkëpunëtorët e saj, u bënë si një familje e dytë për ne”, shprehet ajo.

Sa herë që themeluesi i kompanisë, Ëilliam T. Dillard, vizitonte dyqanin me fëmijët e tij, ajo do të ndihmonte në kujdesin e vajzës së tij, Drue Dillard Matheny, e cila tani është nënkryetare ekzekutive në Dillard’s.

Dyshja, të cilët njihen për gati 65 vjet, u ribashkuan në festën e daljes në pension të Mebanes në qershor. Djali i saj, Terry – 60 vjeç, ka gjithashtu kujtime të bukura nga shoqërimi në dyqan derisa nëna e tij mbaronte orarin e saj. Mebane ka punuar gjithmonë të paktën 40 orë çdo javë, zakonisht nga ora 10 e mëngjesit deri në 5 pasdite ose ndonjëherë deri në orën 21:00, pra deri në kohën kur dyqani mbyllej.

“Ka pasur raste që i kërkoja gjyshit tim të më çonte në dyqan rreth orës 19:00, që të mund të vrapoja nëpër qendrën tregtare dhe të shkoja në shtëpi me të,” rrëfen djali i saj, Terry.

Cila është këshilla e saj për të qenë të lumtur në punë?

Ajo ndoqi të njëjtën rutinë të mëngjesit para punës për 74 vjet: zgjohej në orën 6 të mëngjesit, bënte gati kafenë dhe bënte një mëngjes të shpejtë – zakonisht sallam dhe biskota – më pas vraponte që të arrinte në orën 9 të mëngjesit në mënyrë që të mund të vendosej te vendi i saj i preferuar i parkimit.

“Më pëlqente të shkoja në punë çdo ditë,” thotë Mebane, e cila shton se nuk humbi asnjë ditë pune, përveç nëse ishte vërtet e sëmurë. “Nëse je i kënaqur me atë që po bën, pse të mos vazhdosh ta bësh?”, kishte thënë.

Ajo thotë se këshilla e saj më e mirë për të gjetur një karrierë të gjatë dhe të përmbushur është të mos merrni një punë thjesht sepse paguhet mirë, sepse sipas saj paratë mund t’ju zhgënjejnë. “Të gjesh diçka për të cilën je i zoti dhe të gjesh njerëzit me të cilët të pëlqen të punosh, është shumë më e rëndësishme”, shprehet ajo.

Kur ajo mbushi 65 vjeç, thotë Terry, ishte gati të tërhiqej dhe po e merrte në konsideratë këtë, por zoti Dillard, themeluesi, e bindi atë të qëndronte edhe pak më gjatë.

“Ai i tha asaj: ‘Ti ke një punë me mua për aq kohë sa të duash. Nuk do të të lë kurrë të shkosh. Çfarë doni të bëni?”, kujton ai. “Ajo i tha atij se i pëlqente gjithçka në lidhje me punën, përveç punës në orar të mbrëmjes dhe të punuarit të dielave, dhe ata e rregulluan orarin e saj në përputhje me rrethanat. Kjo ndryshoi gjithçka”, ka treguar ai.

Shumë nga ish-bashkëpunëtorët e Mebanes e vizitojnë atë në fshatin e pensionistëve në Tyler, ku ajo u zhvendos së fundmi. Ish-kolegët kur shkojnë atje e marrin atë për ta çuar për drekë, në kinema ose për të bërë pazar. Ajo ka gjithashtu shumë telefonata dhe vizita nga katër nipërit dhe pesë stërnipërit e saj. Terry thotë se gratë që ende punojnë në sportelin e kozmetikës së Dillard-it në Tyler, e thërrasin me radhë Mebanen për tu bindur se ajo është mirë. Ato miqësi, thotë Mebane, e bënë punën në Dillard “punën më të mirë që ka pasur ndonjëherë”./ AkademiPune

/TV Malisheva

Share.