Pa u bërë 24 orë, Edon Zhegrova dhe Benjamin Kololli duket se i kanë kërkuar falje njëri-tjetrit për atë incidentin që ndodhi në stërvitjen e mbrëmshme në stadiumin “Fadil Vokrri”.

Në mëngjesin e së shtunës, në stërvitjen e parafundit para ndeshjes të hënën me Malin e Zi, Edoni dhe Benjamini janë parë duke diskutuar mes vete qetësisht, për ta lënë prapa atë episod të pahijshëm që ndodhi mbrëmë, raporton Gazeta Express.

Sido që të jetë, incidente të tilla ka gjithkund, në çdo ekip e çdo Kombëtare, por ajo çfarë bën Zhegrova e Kololli vetëm pak orë pas ‘përplasjes’, dëshmoi edhe njëherë se jo rastësisht Kosova vetëm tri vite pas pranimit në UEFA e FIFA është shndërruar në një Kombëtare të fortë dhe po shkruan historinë, e cila tashmë ka rrëmbyer zemrat e mijëra tifozëve shqiptarë, derisa futbollistët janë bërë heronj për shumë e shumë fëmijë – ashtu siç kanë qenë ndër vite lojtarët e mëdhenj si Ronaldo, Messi etj për gjenerata të ndryshme.

Ende pa u bërë 24 orë, ata harruan gjithçka dhe iu rikthyen normalitetit sepse vetëm të bashkuar, Kosova ka shkruar dhe do të vazhdojë të shkruajë historinë.

Harmonia në skuadër ka qenë një ndër faktorët kryesor që Kosova ka pasur kaq shumë suksese viteve të fundit dhe Zhegrova e Kololli dhanë sinjale se kështu do të vazhdojë të jetë atmosfera gjithmonë në skuadër, të gjithë kanë vetëm një qëllim – kualifikimin në “Euro 2020”.

Share.