Prodhimtaria në vend pothuajse ka mbetur nën hijen e zhvillimeve të fundit politike dhe pandemisë Covid-19.

Një ndër sektorët që vazhdon të ballafaqohet me sfida të mëdha është edhe industria e qumështit, ku sipas shoqatës së industrisë së qumështit askush nga institucionet përkatëse nuk po merret me problemet e shumta të qumështarëve në Kosovë.

Megjithatë, ndër problemet më të mëdha në këtë sektor janë tepricat e qumështit dhe konkurrenca jo e drejtë në treg.

E krejt këto barriera, duket se kanë vetëm një emër, e ai është vaj i palmës që paraqet edhe një rrezik tjetër për shëndetin e konsumatorëve.

Kështu ka thënë Ramadan Memaj nga Shoqata e Industrisë së Qumështit në Kosovë, i cili bën ditur se aktualisht disa produkte të qumështit në pikat e shitjes në tërë vendin janë më lirë se ujë.

Kjo sipas Memajt, është shqetësuese dhe dukuri e rëndë për prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit.

KosovaPress ka hasur edhe në fletushka nga ofertat e ndryshme prej disa përpunuesve ku çmimet për këto produkte janë drastike të ulëta.

“Problemet janë shumë të mëdha për shkak se kemi teprica të qumështit në njërën anë, kurse në anën tjetër vet përpunuesit kanë vështirësi të mëdha për faktin se në pika të ndryshme të shitjes në gjithë Kosovën sot kemi produkte ku një litër jogurt shitet më lirë sesa një litër ujë. Apo në rastin tjetër një kilogram djathë shitet më lirë sesa një litër qumësht. Pra, një dukuri dhe kohë shumë e rëndë për prodhuesit dhe përpunuesit e qumështit. Këto shqetësime nuk kanë ardhur të gjitha për shkak të pandemisë, për shkak se problemet në këtë sektor po na përcjellin vit pas viti ose së paku në dhjetë vitet e fundit”, thotë Memaj.

Ai po ashtu ka thënë se përkundër faktit se ka pasur një mbyllje të fermave dhe zvogëlim të sasisë së qumështit, prapë se prapë, kohë pas kohe, shfaqen tepricat e qumështit ku nuk po arrijnë qumështarët t’i absorbojnë dhe t’i tregtojnë ashtu siç duhet dhe siç e meritojnë këto produkte.

Memaj thotë se përderisa nuk ndalohet vaji i palmës për produktet e qumështit nga importi dhe nga prodhuesit e qumështit, shpreh frikë se problemet në këtë sektor nuk do të zgjidhen asnjëherë.

“Janë qindra miliona euro që janë investuar në sektorin e qumështit. Vërtet ka ardhur koha që institucionet të shikojnë strategjinë e zhvillimit të sektorit të qumështit për shkak se këto skema të përkrahjes nuk po japin rezultate dhe në vazhdimësi kemi probleme të njëjta. Sipas mendimit tim këto probleme të cilat janë grumbulluar në këtë sektor e kanë vetëm një emër, dhe ai është vaji i palmës. Përderisa nuk ndalohet vaji i palmës për produktet e qumështit nga importi dhe nga prodhuesit e qumështit, unë kam frikë se problemet në këtë sektor nuk do të zgjidhen asnjë herë”, thotë ai.

Ky shqetësim i tij, ka ardhur për faktin që këto produkte nuk trajtohen ligjërisht, dhe janë prodhime ilegale të cilat e kanë mbizotërua tregun e Kosovës nga importi dhe prodhimi vendor.

E ajo që është më e keqja në këtë kohë pandemie, Memaj thotë se nuk shihet nga institucionet e Kosovës se e kanë marrë seriozisht këtë lloj kërcënimi të cilin e kanë këto prodhime një dozë të madhe të rrezikshmërisë sa i përket sigurisë së konsumimit të tyre./Tv Malisheva

Share.