Gjatë ditës së sotme mediumi i njohur Evropa e Lirë ka shkruar se si Komisioni Evropian ka propozuar heqjen e vizave edhe për shtetasit e Kosovës që mbartin “pasaporta të Republikës së Serbisë, por të cilët banojnë territorin e Kosovës”.
Pra këtu duhet bërë e qartë se është fjala për ato dokumente udhëtimi që lëshohen nga disa zyre administrative ilegale që janë zhvendosur nga përfundimi luftës dhe që funksionojnë si të ashtuquajtura zyre për Kosovën. Këtu pra nuk është fjala për njohjen e dy shtetësisë së qytetarëve që mund të kenë dokumente të rregullta si të Republikës së Kosovës ashtu edhe të Republikës së Serbisë. Por, bëhet fjalë për administratën komunale të Prishtinës që operon në Beograd etj etj.
Sipas Komisionit Evropian ndalesat deri më tani që kanë ekzistuar për këto pasaporta kanë pasur të bëjnë me frikën e migrimit masiv të këtyre banorëve. Mirëpo, me hyrjen në fuqi të liberalizmit të vizave me 1 janar të vitit 2024 për të gjithë qytetarët e Kosovës, nuk ekziston më ajo frikë, prandaj edhe atyre duhet t’ju njihet kjo e drejtë. Dhe sipas vendimit të deritanishëm “bartësit e pasaportave të Serbisë me vendbanim në Kosovë, do të mbeteshin të vetmit pa mundësinë e lëvizjes pa viza”, pohon REL.
Mirëpo, nëse Bashkimi Evropian e ka ndërmend, që mirëfilli t’i inkurajojë serbët e Kosovës që të integrohen brenda tij, ashtu edhe siç shprehet zyrtarisht, pikërisht kjo është arsyeja që ky vendim duhet të mbetet ende në fuqi. Sepse, vetëm në këtë mënyrë ata do të detyroheshin t’i respektonin institucionet shtetërore të Kosovës, e jo ato ilegale në Serbi. Kështu, ato zyre do të shndërroheshin në disa bodrume koti, pa asnjë funksion publik, vetëm për plotësuar egon e disa burokratëve të mjerë që jetojnë ende në ëndrrat hegjemoniste të së kaluarës.
Ngase dokumentet e lëshuara nga to nuk do të kishin asnjë vlerë. Ndërkaq, lëvizja e lirë e qytetarëve serbë të Kosovës drejt Bashkimit Evropian do të kalonte nga Kosova, e jo nga ato zyre të errëta ilegale të strukturave paralele serbe. Dhe kështu do të shtohej presioni mbi ta që t’i respektojnë dokumentet identifikuese të shtetit të Kosovës.
Prandaj, nëse BE-ja merr vendim që t’i konsiderojë si legjitime ato pasaporta vetëm sa e transmeton mesazhin se banorët serbë nuk kanë nevojë të identifikohen me shtetin e Kosovës. Dhe në vend të integrimit të tyre e inkurajon kontestimin dhe mosrespektimin e institucioneve legjitime banorë të të cilit shtet janë. Kjo qasje është një goditje shtesë ndaj Kosovës pikërisht nga lehtësuesi dhe ndërmjetësuesi i dialogut në mes të Prishtinës dhe Beogradit.
/TV Malisheva