Jo gjithmonë do të dëshironi ta pranoni një ofertë pune.
Ndonjëherë mund të jeni në një periudhë kur nuk dëshironi ta pranoni një ofertë për arsye të ndryshme – mbase mund të mos ju përshtatet më, ose mund t’ju ofrohen dy mundësi pune në të njëjtën kohë.
Refuzimi i një oferte pune nuk është diçka e lehtë, përkundrazi mund të jetë shumë e vështirë. Kërkon kurajo, maturi dhe njohuri.
Ju duhet të dini se si ta refuzoni një ofertë pune, në mënyrë që të shmangni çdo vështirësi në të ardhmen dhe të mbani një raport të mirë me punëdhënësin.
Ne ju sjellim disa këshilla.
Informoni punëdhënësin sa më shpejt
Nëse e keni kuptuar që oferta që ju është bërë nuk është e duhur për ju, refuzojeni menjëherë. Tregoni menaxherit apo punëdhënësit sa më herët që të mos e humbni kohën tuaj dhe të tyre.
Shpjegoni shkurtimisht pse nuk po e merrni punën
Mundohuni të jeni sa më të qartë në letrën tuaj. Mos e mbushni letrën me gjëra të parëndësishme. Qëndroni drejt e në pikë të asaj që dëshironi t’i thoni punëdhënësit dhe bashkëpunëtorëve tuaj.
Shprehni mirënjohje
Duke shprehur mirënjohje, ju tregoni që e keni vlerësuar kohën dhe mundësinë që ua ka dhënë kompania përkatëse. Kjo mund t’i ndikojë pozitivisht mbajtjes së një raporti të mirë në të ardhmen.
Shprehni gatishmërinë për të mbajtur kontakt
Nëse vërtetë jeni të interesuar të punoni për atë kompani, mirëpo roli që ofrohet nuk është i duhuri për ju, atëherë mundohuni të mbeteni në kontakt me kompaninë për ndonjë rol tjetër në të ardhmen.
Në vazhdim, ju sjellim dy shembuj të e-mails që mund t’i dërgoni kur dëshironi ta refuzoni një ofertë pune dhe në të njejtën kohë të mbani një marrëdhënie të mirë me punëdhënësin.
Subject: Ofertë pune – (Emri dhe mbiemri juaj)
I/e nderuar (cekni emrin e personit që po i drejtoheni në letër)
Fillimisht, ju falënderoj shumë që më keni ofruar pozitën e punës (shëno emrin e rolit që ju është ofruar) në kompaninë tuaj (shkruaj emrin e kompanisë).
Dua t’ju informoj që nuk mund ta pranoj ofertën e punës ngase (shkruani shkurtimisht arsyen pse nuk mund ta merrni ofertën) si p.sh : Unë jam person që e preferoj më shumë punën ekipore, ndërkaq kjo pozitë pune kërkon më shumë punë individuale. Prandaj, nuk mendoj që ky rol më përshtatet mua. Më vjen shumë keq.
Faleminderit shumë për kohën dhe mundësinë e dhënë.
Uroj shumë suksese për kompaninë tuaj dhe shpresoj që në të ardhmen të mund t’i bashkohem kompanisë në ndonjë rol tjetër.
Përzemërsisht,
(Shkruani emrin dhe mbiemrin tuaj)
Ju mund të mos preferoni të jepni ndonjë shpjegim pse nuk do ta pranoni një ofertë pune. Më poshtë, ju sjellim një shembull të dytë të një e-maili që mund t’ju ndihmojë ta refuzoni ofertën e punës me edukatë dhe pa dhënë shumë detaje.
I/e nderuar (shkruani emrin e personit që po i drejtoheni)
Dua t’ju falënderoj shumë që më keni ofruar rolin e (shkruani emrin e pozitës së punës) në kompaninë tuaj (shkruani emrin e kompanisë).
Më vjen shumë keq por nuk mendoj që ky rol më përshtatet mua në këtë periudhë. Pavarësisht kësaj, une jam shumë i/e interesuar të bëhem pjesë e kompanisë suaj dhe do të isha i/e lumtur të dëgjoja për ndonjë rol tjetër nga ju.
Faleminderit shumë për vlerësimin dhe kohën tuaj.
Gjitha të mirat,
(Shkruani emrin dhe mbiemrin tuaj)./Tv Malisheva