Nëse jeni i stresuar nga gjithçka që po ndodhë në botë, nuk jeni vetëm. Është shumë sfiduese madje edhe të përpiqeni të përqendroheni në punë gjatë një krize të shëndetit publik. Disa persona mund ta përjetojnë më ndryshe, kur ata ose familja e tyre ndikohen nga çështje ekonomike, të barazisë dhe drejtësisë sociale të cilat janë pjesë e jetës tonë të përditshme.

Shëndeti mendor nëpër vendet e punës ka qenë gjithmonë problem. Shumë punonjës përballen me punë stresuese dhe përpiqen që një ditë të arrijnë ekuilibrin në mes të punës dhe jetës jashtë saj, por zakonisht rezulton pa sukses.

Dëmet në shëndetin mendor janë të shumta, në një kohë të tillë është sidomos shqetësues kthimi në zyre pas ndonjë izolimi, humbja e punës të ndonjë anëtari të familjes, problem të ndryshme shëndetësore, kujdesi për gjithë familjen, nganjëherë duke e harruar edhe vetën. Një fillim jo shumë shqetësues, mund të kthehet një problem shëndetësor.

Ka shumë punonjës që përballem me probleme, nuk je vetëm

Firma e sigurimit “Unum” raporton se nga të gjithë punonjësit 46 për qind ose njohin ose kanë njohur dikë i cili ka problem me shëndetin mendor. Ndërsa, raporti i Shoqatës Amerikane të Psikologjisë së stresit tregon që 64% e amerikaneve e përcaktojnë punën si burimin kryesor të stresit, ndërsa 59 për qind si “mbështetëse” të tij. Profesori Jeremy Nobel nga “Harvard Medical School”, për The Balance Careers, ka thënë se vetmia dhe izolimi janë sfida kolektive të shëndetit mendor. Në kohëra të tilla duhet të kontaktojmë me dikë, sepse “të gjithë kemi nevojë për mbështetje kohë pas kohe”.

Hapat për të diskutuar shëndetin mendor

Nganjëherë mund të jetë e vështirë për ta hapur bisedën mbi atë se si dhe çfarë po përjetoni kohëve të fundit. Kjo sidomos në ato vende ku fryma e punës është më zyrtare. Cila është mënyra më e mirë për të filluar bisedën rreth shëndetit tuaj mendor me shefin tuaj?

Nëse ndiheni mirë t’i ndani përjetimet tuaja drejtpërdrejt me të, shikoni se çfarë ai punëdhënës ka lënë në dispozicion për punonjësit të cilët mund të kenë problem dhe kanë nevojë për mbështetje!

Nëse punoni për një kompani të vogël, mundësitë për të folur drejtpërsëdrejti me shefin janë më të mëdha, ndërsa kur punoni për një kompani të madhe mund të kërkoni ndihmë nga anëtarët e stafit të burimeve njerëzore, apo anëtarë të tjerë për këtë qëllim.

Kur është koha e duhur?

Koha më e mirë për të treguar për shqetësimet që keni rreth shëndetit tuaj është para se të këto çështje të ndikojnë seriozisht në përformancën dhe mirëqenien tuaj. Nëse e shihni që kjo po ndikon edhe në paraqitje, kërkoni ndihmë dhe mos prisni derisa të jetë çasti i duhur, sepse mund të jetë vonë! Nuk keni pse e humbni vendin tuaj të punës, vetëm pse kompania nuk është e vetëdijshme që ju po përballeni me kohë të vështira.

Vendosni kujt t’i flisni

Vendimi më i mirë është të flisni me shefin, por nuk jeni të obliguar nëse keni edhe mundësi të tjera. Shumë persona nuk ndihen rehat të flasin për shëndetin e tyre mendor, edhe pse është çështje e rëndësishme për vendin e punës. Madje, një studim i Harvard Business Review, zbulon që 60 për qind e punonjësve nuk e kanë përmendur kurrë një çështje të tillë në punë.

Si të kërkoni ndihmë?

Mënyra më e mirë është të flisni sy më sy me personin që keni zgjedhur të flisni. Nëse punoni në një vend caktoni një takim! Ndërsa nëse punoni nga distanca mund ta telefononi apo të lini takim me video. Punonjësit mund të pyesin përse duhet ta dijë shefi im shëndetin tim mendor, por ka disa arsye. Mund thjesht t’i bëni të vetëdijshëm pjesëtarët e lartë të organizatës se po kaloni kohë të vështirë. Por, edhe mund të kërkoni diçka konkrete, si p.sh.: të kërkoni pushim, sepse dëshironi të konsultoheni me një psikolog, mund të kërkoni një ndihmës nëse jeni në një projekt të vështirë dhe po ua shton stresin, ndoshta keni një kohë kur i duheni familjes dhe kërkoni një orar më flekasibil, apo mund të kërkoni leje me pagesë ose pa pagesë për një periudhë të caktuar.

Cilat çështje duhet t’i shmangni kur flisni me shefin?

Mënyra se si dhe çfarë do të flisni me shefin tuaj varet nga raporti që keni me të. Por, nuk është e nevojshme të ndani shumë detaje personale. Tregoni që keni shqetësime, apo flisni në terma të përgjithshëm për stresin, ankthin ose depresioni tuaj! Edhe në rastet kur ndiheni që fajet i ka kompania, përpiquni që të mos fajësoni dikë aty! Në vend të kësaj, kërkoni ndihmë për ta zgjidhur, në fund të fundit edhe shefi ka qëllim të njëjtë me juve – të ketë punonjës të lumtur.  /TV Malisheva

Share.