Punëkërkuesit zakonisht janë kureshtarë për ta ditur arsyen pse nuk janë pranuar në punën, për të cilën janë intervistuar. Punëdhënësit në shumicën e rasteve nuk e ndajnë këtë informacion nëse nuk pyeten paraprakisht. Ata mjaftohen duke i njoftuar kandidatët që nuk janë pranuar, ose ua lënë të nënkuptueshme.

Pse punëdhënësit nuk e japin këtë informacion?

Kandidatët për punë shpesh paraqesin ankesa për diskriminim në punë, kundër punëdhënësve që i refuzuan ata, shpesh duke pretenduar se nuk ishin punësuar për shkak të gjinisë, racës, paaftësisë ose fesë së tyre. Kështu që, shumë kompani janë të kujdesshme ndaj ndarjes së komenteve në lidhje me intervistat e pasuksesshme.

Qëllimi juaj mund të jetë shumë i pastër. Ju vetëm po kërkoni informacion në mënyrë që ta dini ku ishte gabimi juaj, për t’u punësuar, por punëdhënësit nuk e dinë këtë. Kështu që, për të mos i dhënë përshtypjen sikur po e vëni në dyshim vlefshmërinë e atij vendimi është ë rëndësishme mënyra e qasjes.

Si ta pyesni punëdhënësin pse nuk jeni punësuar?

Ndonjëherë, punëdhënësit do të ndajnë disa komente me kandidatët, të cilët përfaqësojnë interes të mirëfilltë për të përmirësuar komunikimet e tyre të kërkimit të punës. Ju do të keni fat më të mirë nëse nuk pyesni direkt “pse nuk jam punësuar?”.

Në vend të kësaj, përmendni disa pyetje specifike në hyrje si:

  • “A keni identifikuar ndonjë kualifikim kryesor për këtë punë që mungonte në sfondin tim?”
  • “A keni ndonjë sugjerim në lidhje me mënyrën sesi unë mund ta përmirësoj CV-në dhe letrën motivuese?”
  • “A keni menduar që referencat e mia të punës mund të kishin qenë më të forta?”
  • “A keni ndonjë këshillë në mënyrë që ta përmirësoj stilin e intervistimit?”
  • “A keni ndonjë këshillë sesi të kërkojë më mirë rreth kompanisë përpara intervistës?”

Punëdhënësit zakonisht i ndajnë më shumë reagimet e tyre me gojë, sesa përmes emailit, për shkak të shqetësimeve që çdo përgjigje me shkrim mund të shërbejë si provë kundër tyre, nëse një vendim i tyre mund të kontestohej ligjërisht.

Një mënyrë për të marrë reagime është të filloni një bisedë duke dërguar një email të shkurtër ose mesazh në LinkedIn, duke i pyetur nëse mund të flisni në telefon për të marrë ndonjë përgjigje të mirë sesi mund t’i rrisni aftësitë tuaja.

Shembull sesi mund të kërkoni reagime me email nga punëdhënësi

Subject: Pozita “Marketing Assistant”

I nderuari z. Gashi,

Faleminderit që ndatë kohë për të më intervistuar për pozitën “Marketing Assistant” javën e kaluar! E vlerësoj mundësinë për ta diskutuar punën me ju! Po ashtu e vlerësoj shumë faktin që ma bëtë me dije që nuk isha përzgjedhur për këtë pozitë!

Për shkak se e respektoj përvojën në burime njerëzore dhe profesionalizmin që treguat gjatë intervistës, do të doja t’ju kërkoja një të mirë nga ju! A do të ishit i gatshëm për një telefonatë të shkurtër, për të diskutuar sesi të përmirësohem kur kandidoj për punësim? Ndonjë reagim që do ta ndanit me mua do të ishte e mirëseardhur.

Përsëri, faleminderit për kohën dhe konsideratën!

Gjitha të mirat,

Teuta

Çfarë të bëni nëse punëdhënësi pranon?

Nëse intervistuesi pranon që të diskutojë për intervistën tuaj që nuk rezultojë në punësim, shfrytëzojeni mundësinë! Kjo nuk do të jetë vetëm një mundësi për të marrë komente, por do t’ju ndihmojë të krijoni ndikim të mirë. Pse? Sepse ndoshta do t’ua hapë dyert, për pozitat e hapura në të ardhmen në atë kompani.

Pra, pyetjet nuk duhet të shtrohen drejtpërdrejt vetëm sa për intervistën e mbajtur, por të përqendrohen në këshillat për të ardhmen.

/TV Malisheva

Share.