Vojvodina është një pjesë e Ultësirës së Panonisë, në të cilën kanë jetuar popuj të ndryshëm, ndër të cilët ishin Panonët, fisi i madh i Ili…ENCIKLOPEDIA ANGLEZE ÇMEND SERBËT DHE GREKËT: SHQIPTARËT MË TË VJETËR NË EVROPËN JUGLINDORE
Vojvodina është një pjesë e Ultësirës së Panonisë, në të cilën kanë jetuar popuj të ndryshëm, ndër të cilët ishin Panonët, fisi i madh i Ilirëve, dhe krahas tyre ishin edhe Trakasit e Keltët. *Nga tetë entitetet e ish-RSFJ-së, vetëm Vojvodina nuk e ka zgjidhur statusin e saj. * Vojvodina kërkon (dhe meriton) statusin e republikës, por e ka vështirë ta realizojë, për shkak të strukturës nacionale të popullsisë së saj.
Adil Fetahu
Dije e shkurtër për Vojvodinën
Krahina Autonome e Vojvodinës shtrihet në pjesën veriore të Serbisë. Serbët me pezhorativin e tyre të ndytë, shpesh e quajnë Krahina veriore e Serbisë, siç e quajnë me të njëjtën gjuhë edhe Kosovën: Krahina jugore e Serbisë, duke mos u pajtuar me faktin se Kosova nuk është krahinë e Serbisë por është shtet i pavarur dhe vetëm fqinj me Serbinë.
Vojvodina është një pjesë e Ultësirës së Panonisë, në të cilën kanë jetuar popuj të ndryshëm, ndër të cilët ishin Panonët, fisi i madh i Ilirëve, dhe krahas tyre ishin edhe Trakasit e Keltët. Historia e Vojvodinës njihet nga pushtimi romak, në shekullin e parë para Krishtit. Në kohën e sundimit romak, Vojvodina njihej si Krahina Romake e Panonisë. Në vitin e 6 pas Krishtit, Ilirët zhvilluan një kryengritje të madhe kundër romakëve.
Kryengritjen e udhëhoqën Batoni dhe Pini, dy personalitetet e para më të njohura në historinë e Vojvodinës. Përndryshe, në Krahinën Romake të Panonisë (Vojvodinë), kanë lindur gjashtë perandorë të njohur të Perandorisë romake me prejardhje ilire: Daciu (149-251), Aureli (270-275), Probi (276-282), Maksimilian Herkuli (285-310), Konstani II (337-361) dhe Graciani (367-383). Kryeqytet i Krahinës Romake të Panonisë ishte Sirmiumi (sot Sremska Mitrovica), që ishte një nga katër qytetet më të mëdha të Perandorisë.
Fiset sllave (kroate e serbe) në Vojvodinë kanë ardhur në shekullin VI-VII të erës së re. Që nga ajo kohë në Vojvodinë janë ndërruar sundimtarë të ndryshëm. Pas shpërbërjes së Austrohungarisë (1918), Vojvodina ishte pjesë e asaj Perandorie, dhe kurrë nuk ka qenë pjesë e shtetit të Serbisë. Pas Luftës së Parë Botërore, në vitin 1918, Vojvodina ka hyrë në përbërje të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene, ndërsa pas mbarimit të Luftës së Dytë (1945), ka hyrë si krahinë autonome në kuadër të Serbisë, me premtime se do të bëhet republikë, prandaj statusi i Vojvodinës – si krahinë autonome, në fillim ishte më i lartë se statusi i Kosovës – si provincë autonome, por më vonë statusi i të dyjave u barazua, si krahina autonome, dhe njësi konstituive të Federatës së Jugosllavisë, me të gjitha atributet e pushtetit legjislativ, ekzekutiv dhe gjyqësor plotësisht të pavarur, siç e kishin edhe republikat.
Vojvodina sot
Vojvodina ka një sipërfaqe prej 21,506 km², dhe sipas regjistrimit të popullsisë, të vitit 2011, kishte 1.931.809 banorë, prej të cilëve 128,935, apo 66,76% janë serbë. Në Vojvodinë jetojnë 25 komunitete etnike të ndryshme, ndër ta edhe rreth 2,251 shqiptarë. Në regjistrimin e popullsisë në vitin 1921 — dmth,. pas hyrjes së Vojvodinës në përbërje të Mbretërisë SKS, që në realitet ishte vetëm Serbi e Madhe, Vojvodina kishte 1,528,238 banorë, prej të cilëve 533,466, apo 34,9% ishin serbë, 363,450, ose 23,8% hungarezë, 335,902 ose 22% gjermanë (“Folksdojçerë”, “Shvabe”), 129,788 apo 8,5% kroatë, e pjesëtarë të nacionaliteteve të tjera (rumunë, sllovakë, rusë etj.).
Njëzet vjet më vonë — dmth,. në vitin 1941, në Vojvodinë kishte 577,067 apo 35,3% serbë, 465,920 apo 28,5% hungarezë, 318,259 apo 19,4% gjermanë, 105,810 apo 6,5% kroatë, dhe pjesa tjetër ishin nga kombe të tjerë. Në regjistrimin e vitit 1948, popullsia gjermane ra në 31,821, apo 1,9%, apo 286,438 gjermanë më pak!
Në regjistrimin e fundit të popullsisë në vitin 2011, Vojvodina kishte 1.931.809 banorë, prej të cilëve gjermanë ishin 3,272, ose 0,17%. Kështu, pushteti i Serbisë, praktikisht e likuidoi popullsinë autoktone gjermane nga Vojvodina dhe ua konfiskoi e rrembeu pronat dhe pasuritë e krijuara me shekuj aty. Edhe popullsia hungareze vazhdimisht ka pësuar rënie. Për procesin, format e pastrimit etnik dhe plaçkitjen e gjermanëve të Vojvodinës, do të shkruaj një herë tjetër.
Me tokën e saj pjellore, me infrastrukturën e ujitjes së tokës nga lumenjtë dhe nga kanalet ujitëse, Vojvodina ishte hambari i Jugosllavisë, për prodhimin e drithërave dhe kulturave të tjera bujqësore. Në sajë të bujqësisë shumë të zhvilluar Vojvodina ishte e barabartë me Slloveninë, dhe më e zhvilluar se të gjitha republikat e rajonet e tjera: sepse e kishte bazën prej kohës kur ka qenë pjesë e Austrohungarisë që ka përparuar një mjedis të ndryshëm civilizimi dhe kulture siç ka trashëguar shkallë të lartë të zhvillimit në të gjitha aspektet. Me hyrjen në kuadër të Jugosllavisë, Vojvodina ka sakrifikuar shumë, dhe aq më tepër është shfrytëzuar pamëshirshëm nga Serbia, si një koloni e saj, sikurse janë shfrytëzuar edhe pasuritë natyrore të Kosovës.
Në periudhën e krijimit statutor të krahinave autonome, sipas Kushtetutës së Jugosllavisë (1974), deri në vitin 1988 kur administronte me pasuritë e veta, Vojvodina bëri hapa të rëndësishëm të zhvillimit. Por nacional-shovinizmi serb nuk mund të shihte e duronte përparimin e popujve joserbë, siç ishin Shqiptarët në Kosovë, Hungarezët dhe Kroatët në Vojvodinë, prandaj me dhunë shtetërore ndryshoi kushtetutat, suprimoi autonominë dhe imponoi masa të dhunshme në të gjitha segmentet e jetës. Rrëzimi e qeverisë së Vojvodinës mori emrin metaforik “Jogurt-revolucioni”(1988), dhe në nëpër mitingjet serbe këndohej kënga: “Serbija iz tri dela, postala jedinstvena i cela” (Sebia që ishte prej tri pjesëve, tash u bë unike, dhe e tërë).
Por forcat përparimtare të qytetarëve vendor të Vojvodinës asnjëherë nuk janë pajtuar me suprimimin e autonomisë së krahinës, shfrytëzim e pasurisë dhe diskriminimin që ushtron pushteti qendror i Serbisë. Ato thonë se prej shkallës më të lartë të zhvillimit që kishte në kohën e funksionimit të autonomisë, tashmë Vojvodina është shndërruar në pjesën më të pazhvilluar të Serbisë.
Prandaj, asnjëherë nuk do të pushojnë përpjekjet për përmirësimin e pozitës dhe statusit të autonomisë me autorizime të pushtetit legjislativ, ekzekutiv e gjyqësor dhe me garanci të pronës dhe të burimeve financiare vetjake. Në këtë kontekst, ka pasur disa përpjekje që çështja të zgjidhet në mënyrë demokratike, me marrëveshje me strukturat politike e shtetërore të Serbisë. Por Serbia i ka injoruar ato përpjekje, madje kërkesat e drejta për përparimin e pozitës kushtetuese-juridike i ka quajtur secesioniste, separatiste dhe armiqësore. Disa parti të djathta dhe organizata ekstremiste, si “Dveri”, “Srpski napredni klub”, “Treca Srbija,” Kisha Ortodokse Serbe, etj., kanë kërkuar heqjen edhe të asaj autonomie formale, dhe zhvendosjen e selisë së kryeqytetit të Serbisë, prej Beogradit në Novi Sad (një këso kërkesë, forcat ekstremiste serbe e kanë kërkuar para ma shumë se 40 vjetë edhe për Kosovën – që Prizreni të shpallet kryeqyteti i Serbisë!)
Kërkesa që Vojvodina të bëhet republikë në federatë me Serbinë
Duke parë se sa vjen e më tepër po keqësohet pozita e Vojvodinës në Serbinë unitariste, forcat përparimtare në Vojvodinë nuk kanë reshtur përpjekjet dhe kërkesat e tyre për ndryshime pozitive. Në këtë kontekst kanë kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë (të vitit 2006), apo miratimin e një kushtetute të re, në të cilën do të përcaktohej Serbia si shtet federal, me dy republika: atë të Serbisë dhe të Vojvodinës, dhe eventualisht me krahina autonome, të Sanxhakut, Timokut etj. Për këtë qëllim forcat përparimtare të Vojvodinës, të tubuara në parti politike apo në organizata të shoqërisë civile, në koalicionin Klubi Vojvodinës, kanë organizuar manifestime të ndryshme, kanë hartuar një peticion me 30.000 nënshkrime, me të cilin kanë kërkuar ndryshimin e Kushtetutës së Serbisë, dhe kanë organizuar e mbajtur konferenca të ndryshme politike e shkencore, në të cilat kanë miratuar nisma dhe akte në drejtim të ndryshimit të pozitës kushtetuese-juridike të Vojvodinës. Deri më tash, janë mbajtur katër Konventa të tilla (2004, 2006, 2008 dhe 2012). Në Konventën e fundit (2012), mbajtur me slloganin “Inisiativa e Re Kushtetuese e Vojvodinës”, pas një debati të gjërë të trajtimit të pozitës së tanishme të Vojvodinës, është miratuar me brohoritje Deklarata mbi bazat e bashkimit të Vojvodinës dhe Serbisë në Republikën Federale të Serbisë.
Në Deklaratë, ndër të tjera thuhet se: “Serbia si shtet i vetshpallur dhe shoqëri e pakonsoliduar, një kohë të gjatë është në konflikt të përhershëm me vetveten, me Kosovën e pavarur dhe me Vojvodinën si entitet i veçantë, pastaj me disa bashkësi etnike brenda saj, me fqinjët dhe me bashkësinë ndërkombëtare; se Kushtetuta e RS është gjeneratori i krizës politike, ekonomike, sociale dhe morale; se dalja nga kjo krizë kërkon doemos shkëputjen nga politika centraliste, hegjemoniste shtet-madhe dhe nga ideologjia memorndumiane e Serbisë, dhe kërkon reforma rrënjësore politike, demokratike e kushtetuese; se Vojvodina dhe Serbia në pikëpamje gjeohistorike janë dy rajone dhe dy entitete të veçanta; se me një marrëveshje e re historike, pas shkatërrimit të RSFJ-së dhe ndarjes së Malit të Zi (dhe pavarësimit të Kosovës, a.f.), Vojvodina dhe Serbia duhet të formojnë dhe konstiuojnë bashkësinë e (dy) shteteve në Republikën Federale të Serbisë, në parime të barazisë së plotë kushtetuese-juridike, si dy entitete konstituive; ngase jetesa e përbashkët është e mundur vetëm në bazë të një marrëveshje të tillë historike,- prandaj në emër të Vojvodinës, të cilën e përfaqësojnë pjesëmarrësit e kësaj Konvente, propozojmë që në bazë të parimeve dhe të qëndrimeve politike të paraqitura në këtë Deklaratë, ta ndërtojmë shtetin e përbashkët – Republikën Federale të Serbisë (RFS)”,- thuhet në Deklaratën e Konventës së katërt të koalicionit Klubi i Vojvodinës.
Deklarata e Konventës së Vojvodinës, përmbanë edhe shumë qëndrime politike e parime juridike për krijimin dhe funksionimin e shtetit të përbashkët federativ, të përbërë prej dy republikave të barabarta: Vojvodinës dhe Serbisë; kompetencat që këto dy republika do t’ia bartnin Federatës; parimet që do të përcaktoheshin në kushtetutën e Federatës dhe ato të republikave; sundimi i ligjit; shteti i së drejtës dhe shoqërisë qytetare; demokracia parlamentare dhe departizimi konsekuent në udhëheqjen e shtetit dhe në të gjitha punët; shekularizmi, ndarja konsekuente e pushteteve, substitucioni, decentralizimi dhe rajonalizimi; respektimi i plotë i të drejtave civile, të drejtave të njeriut dhe të drejtave individuale e kolektive në punë. Deklarata përmbanë edhe shumë parime të tjera për funksionet dhe kompetencat e shtetit federal, organet legjislative, ekzekutive dhe gjyqësore, mbrojtjen, marredhëniet ndërkombëtare dhe politikën e jashtme, kufijtë, tregun, politikën monetare, doganat, bankat, tatimet, dhe gjithçka që shkon në favor të funksionimit të shtetit federal dhe të dy republikave.
Vuçiçi: “Atë film – nuk do ta shohin”!
Në një konferencë për gazetarë që mbajti në Beograd (3 prill 2018), së bashku me kokë-tulin e serbëve të Bosnjes, M.Dodik, kryetari i Serbisë Aleksandar Vuçiç, duke u përgjigjur në pyetjen e një gazetari, se çka mendon për “Republikën e Vojvodinës”, ky në stilin e tij cinik e me metafora, tha: “Ua uroj!
Gjithçka është në rregull. Serbia është shtet demokratik, por atë film nuk do ta shohin. Jo pse unë apo dikush tjetër nuk duam, veçse për shkak se atë nuk e duan qytetarët e Vojvodinës, dhe se në krye të të gjitha komunave atje, përveç njërës, qeverisë SNS që ka shumicën. Këtë ide, për Republikën e Vojvodinës po e shtynë Sasha Jankoviç (ish-avokat i Popullit në Serbi, dhe kundërkandidat i Vuçiçit në zgjedhjet për kryetar të Serbisë, në vitin 2017,-a.f.). Mos harroni se në zgjedhjet për kryetar të Serbisë, 55% e qytetarëve të Vojvodinës më kanë votuar mua”, tha Vuçiçi.
Dhe unë i them Vuçiçit: Kurrë mos thuaj – kurrë. Edhe pse Vojvodina realisht tash nuk ka mundësi për t’u bërë republikë as për t’u shkëputur nga Serbia, për shkak të dominimit në strukturën e popullsisë me 67% serbë, megjith’atë edhe atje “diçka po vlon e po zien. Edhe vrapimi në maratonë fillon me një hap të parë. Struktura e padrejtë e shtetit dhe trysnitë sociale ndryshojnë shpesh drejtimin e erërave politike.
Një ditë mund të fryjë një erë nga ‘demokracia’ e Evropës dhe veçanërisht nga Gjermania që Vojvodina të ndryshojë. Ajo e meriton shkëputjen nga Serbia.