Qeveria e Serbisë zotohet për fillimin e punësimit dhe përfshirjes proporcionale të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Në afat prej dhjetë ditësh themelohet Grupi i Përkohshëm i Punës për monitorimin dhe zbatimin e këtij procesi, në përbërje të përfaqësuesve të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim Evropian (OSBE); Ministrive të Qeverisë së Republikës së Serbisë; Trupit Koordinues për Preshevë, Bujanoc dhe Medvegjë, si dhe Këshillit Kombëtar Shqiptar. Pas tre muajve do të takohemi sërish për ta vlerësuar ecurinë dhe efikasitetin e zbatimit të këtij procesi.
Kështu ka shkruar kryetarja e komunës së Preshevës, Ardita Sinani, e cila ka shkruar në Facebook se ky është rezultati i sotëm i rrethit të dytë të dialogut dypalësh midis Qeverisë së Republikës së Serbisë dhe përfaqësuesve politik e institucional shqiptarë të Luginës së Preshevës, lidhur me zbatimin e marrëveshjes 7 pikëshe për Luginën, të bllokuar nga Beogradi prej miratimit të saj më 4 korrik 2013.
“Dialogu i tanishëm për zbatimin e marrëveshjes 7 pikëshe po lehtësohet dhe po përkrahet nga Shefi i Misionit të OSBE në Beograd, SH.T. Ambasadori Jan Braathu. E falenderoj përzemërisht për kontributin dhe përkushtimin. Sot ishte tema e integrimit të shqiptarëve në institucionet shtetërore.
Për këtë, së bashku me kryetarin e Këshillit Kombër Shqiptar, Ragmi Mustafi; kryetarin e Komunës së Bujanocit, Nagip Arifi dhe kryetarin e Kuvendit Komunal të Bujanocit; bashkëbiseduam në Bujanoc me Ministren për të Drejtat e Njeriut dhe Minoritetet, Gordana Çomiq; Ministren e Drejtësisë, Maja Popoviq; Ministren për Punë dhe Çështje Sociale, Darija Kisiq-Tepavçeviq; si dhe me përfaqësues të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Ministrisë së Infrastrukturës.
Përpos paraqitjes së gjendjes aktuale kundrejt temave të Planit 7 pikësh dhe çështjes së mosintegrimit të shqiptarëve, ngrita edhe çështjen e mungesës së vullnetit politik nga ana e ministrive të Qeverisë së Republikës së Serbisë për t’i përkrahur projektet tona si Komunë e Preshevës, megjithëse konsiderohemi si një nga komunat më të pazhvilluara të vendit”, ka shkruar ajo.
/TV Malisheva