Në një kohë kur kaq shumë punonjës po kërkojnë për vende të tjera pune më të mira, shumë prej nesh po mendojnë më shumë se çfarë lloj pune do të ishte më kuptimplotë. Në fund të fundit, nëse keni një punë me kohë të plotë, atëherë po shpenzoni një pjesë të konsiderueshme të orëve tuaja të ditës çdo javë në punë, duke menduar për punën dhe duke shkuar e duke u kthyer nga zyra juaj.

Si rezultat, është e natyrshme që ju të dëshironi të ndiheni të lumtur dhe të kënaqur me punën që po bëni.

Lumturia përballë kënaqësisë

Është e rëndësishme të bëni dallimin midis kënaqësisë së përgjithshme me punën tuaj dhe lumturisë tuaj momentale. Ju mund ta doni punën tuaj dhe të ndiheni plotësisht të kënaqur me drejtimin tuaj të karrierës, por sërish mund të ndodhë të keni momente në punë në të cilat nuk ndiheni të lumtur ose nuk kënaqeni me atë që bëni. Kënaqësia është një gjendje afatgjatë, ndërsa lumturia është diçka që ndodh në moment.

Studimet rreth faktorëve që i bëjnë njerëzit të kënaqur zakonisht i pyesin njerëzit për kënaqësinë e tyre të përgjithshme dhe më pas lidhin dallimet midis njerëzve në përgjigjet e tyre ndaj aspekteve të ndryshme të punës. Studimet që shqyrtojnë lumturinë momentale fokusohen në ngjarje specifike. Këto studime zakonisht bëhen duke i ndaluar njerëzit në periudha të caktuara të ditës për t’i pyetur për atë që po bëjnë dhe për emocionet pozitive ose negative që po përjetojnë, ose mund t’i bëjnë ata të reflektojnë për ditën e tyre të punës dhe të mendojnë për aktivitetet dhe emocionet që kanë përjetuar.

Çfarë ju bën të kënaqur me punën tuaj?

Ka mënyra të ndryshme që parashikojnë me sukses kënaqësinë e njerëzve me punën e tyre. Njëra prej tyre fokusohet te niveli sipas të cilit njerëzit e shohin punën e tyre si një thirrje ose një vokacion. Një “thirrje” është një punë që i shërben një kauze, e cila ka më tepër ndikim shoqëror sesa thjesht detyrat specifike. Kjo punë është e dobishme për të tjerët dhe lidh detyrat e përditshme me një temë më domethënëse. Njerëzit që e shohin punën e tyre si thirrje janë më të kënaqur me të sesa njerëzit që nuk e konsiderojnë të tillë.

Ju mund të mendoni se puna mund të konsiderohet si thirrje vetëm nëse keni një pozicion të nivelit të lartë në një organizatë, ose nëse punoni në një organizatë jofitimprurëse, por nuk është kështu. Të gjithë ata që mendojnë se puna e tyre është e lidhur me një qëllim më madhor, mund ta përjetojë punën si një thirrje, pavarësisht nga detyrat specifike që kërkon pozicioni i tyre.

Qasja e dytë bazohet në një metodë të quajtur “Teoria e Karakteristikave të Punës”. Sipas kësaj teorie, ekzistojnë pesë dimensione të punës suaj që ka të ngjarë të rrisin kënaqësinë tuaj.

Ato janë:

– Puna kërkon një shumëllojshmëri aftësish dhe ka një sërë aktivitetesh që duhen kryer mirë, kështu që ju kryeni shumë detyra.
– Ju arrini të merreni me një detyrë nga fillimi deri në fund, në vend që të punoni thjesht për një pjesë të vogël të pazëllit.
-Puna ka një rëndësi më madhore (që lidhet me “orientimin e thirrjes” të përshkruar më lart).
– Ju keni lirinë për ta bërë punën tuaj pa mikromenaxhim apo mbikëqyrje të shumtë.
-Ju merrni lavdërime të shpeshta dhe në kohën e duhur nëse përpjekjet tuaja kanë sukses.
– Sa më shumë që puna juaj i shfaq këto karakteristika, aq më të kënaqur do të jeni me punën tuaj.

Cilat ngjarje ju bën të gëzuar në përditshmëri?

Pavarësisht nëse e konsideroni punën tuaj përgjithësisht të kënaqshme, çfarë thotë shkenca për lumturinë tuaj momentale përgjatë ditës?

Disa studime shqyrtojnë vetëm sasinë e kënaqësisë që njerëzit marrin nga aktivitetet që kryejnë. Studime të tilla tregojnë se nga të gjitha gjërat që njerëzit bëjnë gjatë ditës, e vetmja gjë që njerëzit pëlqejnë më pak se vetë puna, herë pas here, është udhëtimi për në punë. Gjithashtu, ata e shijojnë kohën e tyre me kolegët dhe me shefat më pak sesa me miqtë dhe me familjen. Nëse merren parasysh nivelet mesatare të lumturisë nga të dhënat ekzistuese, atëherë puna në përgjithësi nuk duket të jetë edhe aq e mirë.

Por, padyshim që ka ngjarje në punë që ju bëjnë të lumtur. Natyrisht, sukseset ju bëjnë të lumtur. Përfundimi i një projekti, arritja e një shitjeje ose kontributi me një ide të shkëlqyer ju bëjnë të ndjeheni mirë për një moment. Përveç kësaj, çdo aktivitet në të cilin ju mendoni shpejt, ju bën të ndjeheni mirë në atë moment. Për këtyre, edhe një bisedë e mirë në të cilën rrjedhin idetë, ose progresi shumë i madh me një raport apo program kompjuterik, ju bëjnë të ndiheni mirë.

Studimet në lidhje me karakteristikat e punës të përmendura në seksionin e mëparshëm tregojnë gjithashtu se kur bëni diçka përtej pjesës së zakonshme të punës suaj, e cila lidhet me aspektet pozitive të kënaqësisë në punë, do të ndiheni të lumtur. Për shembull, nëse në përgjithësi keni dikë që ju mbikëqyr në punën tuaj dhe ju jepet mundësia për të bërë një projekt pa e pasur këtë lloj mbikëqyrjeje, kjo gjë do t’ju pëlqejë.

Këto studime janë të vlefshme sepse tregojnë gjërat që mund të bëni për të rritur kënaqësinë tuaj të përgjithshme me punën që keni, si dhe për të rritur lumturinë tuaj të përditshme për punën që po bëni. Edhe kur nuk keni shumë kontroll mbi detyrat specifike që janë pjesë e ditës suaj të punës, ju keni të drejtë të zgjidhni mënyrën se si do t’i perceptoni ato.

/TV Malisheva

Share.