Serbët në veri të Mitrovicës kanë sulmuar sot pjesëtarët e Policisë së Kosovës, derisa këta të fundit po zhvillonin një aksion kundër mallrave të kontrabanduara në atë pjesë.
Njësitë Speciale të Policisë së bashku me Doganën, kanë kryer bastisje nëpër objekte, lokale e shtëpi të ndryshme në veri, ndërsa kanë hasur në rezistencë të popullatës në atë pjesë.
Ata kanë krijuar bllokada në rrugë me mjete të ndryshme transportuese, kanë përdorur bombola gazi, ka pasur të shtëna me armë zjarri, granata dore dhe gurë, me qëllim të pengimit të zyrtarëve doganorë e policorë gjatë kryerjes së detyrës së tyre.
Janë sulmuar edhe gazetarët shqiptarë, në drejtim të të cilëve janë hedhur mjete shpërthyese.
Si rrjedhojë, ka dhjetëra të lënduar nga ana e policisë, ndërsa janë arrestuar po ashtu dhjetëra persona.
Pas përfundimit të aksionit, janë konfiskuar numër i konsiderueshëm i barërave dhe artikujve ushqimorë.
Aktualisht, situata është e qetë në veri, por nën tension, pasi disa prej qytetarëve po vazhdojnë të qëndrojnë nëpër rrugë, si dhe disa pika rrugore mbeten të bllokuara nga kamionët, të cilët janë vendosur për të penguar ardhjen e serishme të njësiteve speciale të policisë në atë pjesë. /TV Malisheva