Nata e mbrëmshme ishte emocionale për shqiptarët në të dy shtetet. Shqipëria dhe Kosova luanin në të njëjtën kohë dhe në të njëjtën ditë për kualifikimet e Evropianit 2024.

Mirëpo, krahas entuziazmit që sollën këto evente sportive, nuk mund të mos përmendet edhe sjellja jo e hijshme e liderëve politikë të dy vendeve, kryeministrit Kurti dhe Rama. Ndonëse, të dy prezentë në podiumin e stadiumit Air Albania, ata u shfaqën të ndarë e me hatërmbetje ndaj njëri-tjetri nga ulëset VIPA-ve, diçka e paprecedentë në ngjare të tilla.

Por, përtej kësaj panorame bizare, edhe më zhgënjyes mund të konsiderohet injorimi që kryeministri i Kosovës i bëri përfaqësueses shtetërore, duke e shpërfillur thuajse tërësisht lojën e saj. Sikur ajo të mbahej në një planet tjetër. Ai vendosi të bëhet simpatizant i kombëtares në një kohë kur edhe ekipi i shtetit që e drejton po luante për të njëjtin kompeticion. Sepse sikur këto dy ndeshje të mos kishin qëlluar në të njëjtën orë, nuk do të ishte problem. Mirëpo, kështu janë rregullat e UEFA-së.

Është e vërtetë se ekipi i Kombëtares Shqiptare i kishte shanset më të mëdha për të ecur me tutje në këtë garë. Dhe fitorja e tij  e mbrëmshme kundër Çekisë e ka afruar me afër se kurrë tek portat e Gjermanisë 2024. Ndërkohë Kosovës i janë shuar shpresat për kualifikime të mëtutjeshme, pavarësisht rezultatit që do ta korrte mbrëmë, për shkak të bilancit negativ të ndeshjeve të mëhershme. Por kështu e ka sporti.

Prandaj, shtrohet pyetja a duhet që kryeministri i shtetit të jetë me përfaqësuesen e tij sportive vetëm kur ajo i ka shanset për fitore?  Pra, që në vend të solidaritetit me të si në humbje ashtu edhe në fitore ai zgjedh të jetë vetëm në rastet e para. Sepse, ato krijojnë mundësi për më shumë pëlqime politike në Facebook.

Një qëndrim i tillë nuk i kontribuon zhvillimit të sportit. Është dekurajues dhe ofendues edhe për e lojtarët e ekipit të Kosovës. Sepse ai e përçon mesazhin se i pari i qeverisë është me ta vetëm kur mund të përfitojë edhe vet politikisht nga kurorat e lavdisë së tyre dhe nuk ka respekt për mundin, sakrificat, sukseset, gabimet dhe dështimet e tyre.

Sjellja të tilla kushtëzohen nga një oportunizëm politik dhe dëshira për të pasur sukses nga rrethanat e momentit, si dhe nuk reflektojnë një përkushtim afatgjatë për të investuar dhe punuar në ngritjen e cilësive sportive edhe në përfaqësuesen e Kosovës, çfarë edhe është obligim shtetëror i të parit të qeverisë.

/TV Malisheva

Share.