Sllovenia është vendi i parë në Bashkimin evropian që deri më tani ka njoftuar fundin e epidemisë së koronavirusit. Qeveria sllovene ka theksuar se para dy javësh kanë qenë dhe rastet e fundit të konfirmuara me koronavirus.

Tashmë udhëtarët që mbërrijnë në Slloveni nga vendet e tjera anëtare të BE-së nuk do të duhet më të qëndrojnë në izolim për të paktën shtatë ditë, thuhet ne mediat e huaja.

Vendi me 2 milionë njerëz, i cili kufizohet me Italinë, Austrinë, Hungarinë dhe Kroacinë, deri më tani ka raportuar 1,464 raste me koronavirus dhe 103 vdekje. Sllovenia e shpalli epideminë më 12 mars.

Fundi i epidemisë do të thotë që disa masa, përfshirë ndihmën financiare për qytetarët dhe bizneset e goditura nga koronavirusi, do të skadojnë në fund të majit. Qeveria tha se shtetasit e huaj që tregojnë shenja të infeksionit të koronavirusit ende nuk do të lejohen të hyjnë në vend.

Një karantinë prej të paktën 14 ditësh do të mbetet në fuqi për njerëzit nga shtetet jo anëtare të BE-së, përveç disa përjashtimeve përfshirë diplomatët dhe njerëzit që transportojnë ngarkesa. Ndër të tjera në vendimin e qeverisë theksohet se patjetër që qytetarët duhet të ndjekin rregullat themelore për të parandaluar një përhapje të mundshme të infeksionit./ Tv Malisheva

Share.