Sokoli II te FC Prishtina vetëm sa ka nisur. Aventura e trajnerit të njohur kosovar Bylbyl Sokoli në klubin dhjetë herë kampion i vendit shënon epokën e dytë pas asaj të edicionit 2014/15 kur edhe për herë të parë “Profa” ishte ulur në stolin e kryeqytetasve
Sokoli u prezantua përpara futbollsitëve, teksa në prononcimin për media ai tregoi për objektivat e klubit dhe zbuloi kontratën e ‘firmosur’.
“Sot jam prezantuar para futbollistëve. Do të bëhen njohjet për të parë objektivat. Prishtina ka skuadër cilësore dhe ka objektiva të qarta. Për këtë arsye jam këtu. Prishtina synon pjesën e epërme të tabelës dhe besoj se edhe këtë vit do ta synojë një gjë të tillë”, tha fillimisht Bylbyl Sokoli për gazetarët.
“Ka futbollistë cilësorë në skuadër dhe besoj se do ta japin maksimumin. Kontrata ime është deri në fund të edicionit”, u shpreh Sokoli.
Ndryshe, Sokoli në gjysmën e dytë të edicionit të kaluar ishte pjesë e Ferizajt, ku arriti ta shpëtojë skuadrën nga rënia në Ligën e Parë.