Sot, 21 vjet më parë, ra në altarin e lirisë në Koshare, Sali Çekaj-Veterani. Ai ka qenë pasqyrim i luftës së paepur për lirinë e Kosovës, përfaqësues shembull i plejadës së veprimtarëve që me laps e me pushkë janë meritorë për të arriturat e deritashme të kombit.
Figura bashkuese e Saliut pasqyronte orvatjet shtetndërtuese të kombit tonë prej Lidhjes së Prizrenit e deri në ditët e sotme.
Veterani ishte në rrënjët e UÇK-së, qysh prej filleve të saj, me Adem Jasharin e Zahir Pajazitin. Ai dëshmoi se si burri duhet t’i dalë zot edhe pushkës, deri në frymë të fundit.
Në mesin e gushtit 1998, pas operacionit të tërheqjes së mbi 2000 civilëve dhe dhjetra të plagosurve nga Juniku, unë dhe Agimi u ritakuam me Saliun. Ritakimi me Saliun për neve ishte mrekulli nga vetë Zoti. Kur u bashkuam me të, ne u bëmë bashkë me gjithë historinë e UÇK-së: futjen e parë të armëve përmes kufirit, aksionet e para të luftëtarëve ne Dukagjin e krejt Kosovë, futjen e njësive të para të Ministrisë së Mbrojtjes në vitin 1998 e me Beteja e Loxhës.
Saliu ishte frymëzim për eprorëte Brigadës 134, të cilët iu bashkëngjitën përsëri për t’u bërë grusht i fortë dhe për ta vënë në rrugë të drejtë historinë e kombit shqiptar. Dhe Saliu nuk e ndali luftën për çlirimin e Kosovës, deri në frymën e fundit.
I përjetshëm qoftë kujtimi për Heroin e Kosovës, Sali Çekaj!

Share.