Sot mbahet seanca gjyqësore në rastin ku i akuzuar për keqpërdorim të detyrës zyrtare është Pal Lekaj, ish-ministër i Transportit, Eset Berisha, ish-këshilltar i ministrit, Nebi Shatri, ish-sekretar i Përgjithshëm në Ministrinë e Infrastrukturës (MI) si dhe Besim Tahirit, drejtor i Prokurimit Publik në këtë ministri.
Më 4 maj, ish-ministri i Infrastrukturës, Pal Lekaj dhe të tjerët janë deklaruar të pafajshëm në rastin e “53 milionë eurove”.
Ndryshe, Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) më 4 shkurt 2021, kishte ngritur aktakuzë ndaj të lartcekurave.
Në aktin akuzues thuhet se të njëjtit, në kundërshtim me Ligjin për Prokurim Publik 04/ L- 042, Statutin dhe Kodin e Sjelljes së KDNM-së dhe me kushtet e kontratës së 1 korrikut 2014, kanë nënshkruar marrëveshje në emër të MI-së si punëdhënës në njërën anë dhe ndërmarrjes së përbashkët “Bechtel & Enka” si kontraktor në anën tjetër, për shtyrjen e afatit të përfundimit të punimeve edhe për 347 ditë dhe atë nga 18 janari 2018 siç ishte e përcaktuar në kontratën bazë, deri më 31 dhjetor 2018, duke mos e përcaktuar koston financiare./TV Malisheva