Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar ka caktuar ditën  e martë 24 tetor, seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të kryetarit të grupit të ish-kryeministrit Sali Berisha.

“Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, në datën 24 tetor 2023, e martë, ora 14:00, ka caktuar seancën gjyqësore të marrjes në pyetje të personit nën hetim Sali Berisha, bazuar në nenin 248 pika 1 të K. Pr. Penale”, thuhet në njoftimin e GJKKO.

SPAK ka vijuar hetimet në kuadër të procedimit penal të regjistruar për veprat penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë ose të zgjedhurve vendorë” kryer në bashkëpunim, “Korrupsionit aktiv të funksionarëve të lartë ose të zgjedhurve vendorë” dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale apo veprimtarisë kriminale”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga Kodi Penal.

Objekti i hetimit të këtij procedimi penal, janë veprimet e kryera nga funksionarë të lartë shtetërorë dhe persona të tjerë, për privatizimin e terreneve dhe objekteve sportive të “Klubit të Futbollit Partizani” dhe “Klubit Shumësportesh Partizani”.

Në vijim të hetimit, SPAK shprehet se është krijuar dyshimi i arsyeshëm, i mbështetur në prova se, nga shtetasi Sali Berisha është konsumuar vepra penale e “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendorë”, kryer në bashkëpunim me shtetasin Jarmarbër Malltezi.

“Nga ana e shtetasit Sali Berisha, në cilësinë e tij si Kryeministër i Republikës së Shqipërisë, janë kryer veprime konkrete dhe aktive, në miratim ligjesh apo aktesh nënligjore, me qëllim përshtatjen e tyre sipas nevojave që paraqiteshin për pesë familjet e njohura pronare, ku fitues i drejtpërdrejtë ndër të tjerë, rezultonte të ishte bashkëshorti i vajzës së tij, shtetasi Jamarbër Malltezi”, thuhet në njoftimin e SPAK.

/TV Malisheva

Share.