Presidenca islandeze e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Evropës nga sot pret një samit dyditor të krerëve të shteteve dhe qeverive nga 46 shtetet anëtare të organizatës në Reykjavik.

Ky është Samiti i 4-të i Këshillit të Evropës që nga krijimi i tij në 1949, ndërsa në këtë samit me shumë gjasë nuk do të flitet për Kosovën.

Ditë më parë ka qenë vet Presidenca Islandeze e cila ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në KE, nuk do të jetë temë e agjendës së samitit dyditor.

“Samiti do të diskutojë për vlerat themelore të Këshillit të Europës – të drejtat e njeriut, demokracinë dhe sundimin e ligjit – si dhe llogaridhënien dhe mbështetjen për Ukrainën. Nuk parashihet diskutim për aplikimin e Kosovës për anëtarësim”, thuhet në përgjigje.

Në fund të muajit prill Kosova edhe zyrtarisht nisi rrugën drejt anëtarësimit në KE, pasi Komiteti i Ministrave votoi pro që kërkesën e Kosovës ta përcjellë në Asamblenë Parlamentare.

Sipas procedurave, Këshilli i Evropës pritet të emërojë një raportues për çështjen e anëtarësimit të Kosovës i cili do të përgatit një raport -opinion të cilin do ta disktuojë Asambleja Parlamentare e më pas ta votojë anëtarësimin ose jo.

Nuk dihet saktësisht se sa do të zgjasë procedura e anëtarësimit të Kosovës në këtë organizatë, por besohet se është e lidhur me përarimin e dialogut me Serbinë në Bruksel, ndërsa ka njohës që e kanë vlerësuar se Kosova mund të bëhet anëtare deri në fund të këtij viti.

/TV Malisheva

Share.