Kuvendi i Kosovës do të mblidhet sot, me fillim nga ora 11:00.
Në këtë seancë, do të bëhet shqyrtimi i Propozim-Rezolutës për mbështetjen urgjente financiare të Policisë së Kosovës.
Kjo kërkesë për seancë të jashtëzakonshme është bërë Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK).
Gjatë ditës së djeshme, kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka treguar se kanë thirrur seancë të jashtëzakonshme për ta miratuar rezolutën që mbështetë dhe forcon Policinë e Kosovës.
Krasniqi ka thënë se duke marrë parasysh zhvillimet e fundit në vend, posaçërisht pas 24 shtatorit, PDK konsideron se forcimi dhe mbështetja e Policisë duhet të jetë prioritet shtetëror – andaj nuk mund ta pranojnë këtë qasje neglizhuese të pushtetit dhe të qëndrojnë duarkryq.
Dokumenti përmban edhe nënshkrimet e 33 deputetëve të: Grupit Parlamentar të PDK-së, të LDK-së dhe AAK-së.
Sipas draft-rezolutës thuhet se duhet të obligohet Qeveria që brenda afatit prej 15 ditësh nga miratimi i rezolutës, të bëjë ndarjen e mjeteve të nevojshme financiare për pagesën e shtesës së rrezikshmërisë për Policinë e Kosovës dhe atë në mënyrë retroaktive nga dita e hyrjes në fuqi të Ligjit 08/L-196 për Pagat në Sektorin Publik (për secilin muaj).
Në rend dite janë edhe pikat e papërfunduara nga seanca plenare, e mbajtur më 5 tetor 2023.
/TV Malisheva