Sot vendoset data e rifillimit të IPKO Superligës

Komiteti Ekzekutiv i FFK-së do të mblidhet sot dhe të vendos për vazhdimin e garave. Kjo mund të ndodhë nga fillimi i qershorit, ndërsa ekipet mund t’i rifillojnë përgatitjet që nga dita e sotme

Federata e Futbollit të Kosovës do ta marrë sot vendimin përfundimtar për datën e rifillimit të IPKO Superligës

Shtëpia e futbollit kosovar e mori sot dritën e gjelbër nga Ministria e Shëndetësisë për rifillimin e stërvitjeve që nga dita e sotme.

Klubet mund të ushtrojnë deri më 1 qershor dhe nga ajo datë është dhënë leja që të nisin edhe garat.

Ndërkohë, sot do të mbahet edhe mbledhja e Komitetit Ekzekutiv të FFK-së, i cili do të vendosë për datën fikse të rifillimit të kampionatit.

Për fillim do të nisin përgatitjet e klubeve elitare, ndërsa për ligat tjera FFK-ja do të vendosë më vonë, gjithmonë në koordinim me Ministrinë dhe UEFA-n.

Menjëherë pas këtij vendimi është mbledhur Komisioni i Garave dhe Komisioni i Gjyqtarëve së bashku me administratorin e Ipko Superligës, me pjesëmarrjen edhe të presidentit Agim Ademi, sekretarit të përgjithshëm Eroll Salihu si dhe ekipit mjekësor të FFK-së, ku është duke u përgatitur orari i 11-javëve të mbetura të kampionatit si dhe ndeshjeve të Digitalb Kupës së Kosovës.

Të gjitha klubeve tashmë u është dërguar udhëzuesi për aplikimin e masave për parandalimin dhe luftimin e COVID-19 gjatë stërvitjeve dhe ndeshjeve dhe kërkohet respektimi i tyre në përpikëri.

Për rikthimin e futbollit në vendin tonë është njoftuar edhe UEFA.

Me këtë rast, FFK falënderon ministren në detyrë të Sportit, Vlora Dumoshi dhe të gjitha autoritetet tjera qeveritare për mirëkuptimin e treguar dhe për lejimin e procesit të stërvitjeve të klubeve në fazën e dytë të masave lehtësuese, ngase në këtë mënyrë është ofruar mundësia që kampionati të rikthehet dhe të mbyllet në afatet e parapara nga UEFA. /Gazeta Express/

Share.