Protesta e paralajmëruar që do të mbahet sot (e mërkurë) nga specializantët para Ministrisë së Shëndetësisë shkaku i pakënaqësive të tyre lidhur me pagesat, është anuluar.
Specializantët kanë biseduar me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia lidhur me kërkesat e tyre, dhe ky i fundit u ka premtuar zgjidhje.
Përfaqësuesi i specializantëve, Arianit Zajmi tregoi se ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia lidhur me pagesat për kujdestaritë e mbajtura nga muaji shkurt, ju ka thënë ‘se nuk ka ligj që Ministria e Shëndetësisë mund t’i kompensojë ato’.
“Sa i përket çështjes së kujdestarive që i kemi mbajtur nga muaji shkurt, dhe që nuk janë kompensuar fare, ministri ka thënë që ato kujdestari nuk ka ligj që mund t’i kompensojë Ministria e Shëndetësisë, ato kanë humbur. E dyta, sa i përket vendimit ka 500 euro për detyrim të shkollimit… dhe 100 euro për specializantët jashtë Kosovës, ka thënë që nuk ka të drejtë ministri i Shëndetësisë me marrë vendim mbi ligjin, për shkak se ka thënë se kjo është e përcaktuar me ligj.
Unë ia kam parashtruar një pyetje ministrit i kam thënë që unë kam folur me ekspertët ligjorë dhe ekspertët ligjor më kanë treguar për disa rrugë ligjore, përmes të cilave nëse i zbatojnë mund të anulohet ky vendim dhe mund të ndryshohet. Ministri më është përgjigjur se nëse më të vërtetë i gjen ekspertët që thonë kështu dhe më argumentojnë, ministri do t’i pranoj…Është treguar i hapur për këtë çështje, por ka thënë edhe një herë, përderisa nuk ka rrugë ligjore, kjo mbetet 100 për qind që jo”, tha Zajmi.
Po ashtu, lidhur me kërkesën e tyre për kujdestari, Zajmi tha se ministri Vitia u ka premtuar se në fund të muajit tetor apo në fillim të muajit nëntor do t’i pajisin specializantët me aneks kontrata.
Ai beson që këto aneks kontrata do të jenë në proporcion me Ligjin e ri të pagave.
“Dhe e treta sa i përket kujdestarive ka thënë që nga fundi i këtij muaji, eventualisht në fillim të muajit të ardhshëm ne do t’i marrim aneks kontratë, në bazë të cilave çdo kujdestari do të kompensohet me pagesë…Po mbetet të pritet se si do të jenë ato aneks kontrata, por po besoj që duhet të jenë në proporcion me Ligjin e ri të pagave”, tha Zajmi.
Ndërkaq, specializantët protestën e filluan që javën e kaluar, për të vazhduar edhe këtë javë. Kërkesat e tyre kanë të bëjnë me mos pagesën e kujdestarive sipas Ligjit të ri të pagave si dhe mos pagesën e kujdestarive me subvencione prej muajit shkurt.
Ata gjatë javës së kaluar protestuan për mos pagesën e kujdestarive prej muajit shkurt dhe kundër detyrimit për të paguar vitin e shkollimit specialistik 500 euro për një vit.
/TV Malisheva