Gjykata Speciale i ka vazhduar masën e paraburgimit, ish-kryetarit të Malishevës, Isni Kilaj.

Kështu është bërë e ditur në njoftimin për media nga Specialja.

“Më 6 nëntor 2023, Gjykatësi i DHSK-së, Nikola Giju, urdhëroi mbajtjen e mëtejshme në paraburgim të Isni Kilajt. Vendimi, mes të tjerash, thekson se gjykatësi Giju, pas shqyrtimit të parashtrimeve të palëve, ka vendosur se ka dyshime të bazuara se Kilaj ka kryer vepra penale kundër administrimit të drejtësisë të përfshira në juridiksionin e DHSK-së, dhe se, për arsye të ikjes dhe rreziqeve tjera, mbajtja e mëtejshme e të dyshuarit është e përshtatshme”, thuhet në njoftim.

Kilaj është arrestuar më 3 nëntor të këtij viti.

Në arsyetimin e Speciales për arrestimin e tij, thuhet se Kilaj dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, “përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.

/TV Malisheva

Share.