Gjatë kësaj jave është miratuar lirimi i parakohshëm i ish-kreut të OVL UÇK-së, Hysni Gucati nga burgu në Hagë, mirëpo një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe me Nasim Haradinaj.
Rreth kësaj, zëdhënësja e Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë, Angela Griep, përmes informimit javor të DhSK-së tregoi edhe për marrjen e vendimit që të shqyrtohet mundësia për lirimin e parakohshëm të Nasim Haradinajt.
Griep tha se kryetarja e DHSK-së, Ekaterina Trendafilova ka theksuar se Haradinaj ka precedent disiplinor në Njësinë e Paraburgimit. Për këtë arsye, gjyqtarja kishte urdhëruar administratoren që të paraqes një raport lidhur me sjelljen e tij gjatë kësaj kohe.
“Po më 12 tetor, kryetarja vendosi se do të shqyrtojë modifikimin e dënimit të z. Nasim Haradinaj pasi të ketë marrë një raport nga Administratorja, Fidelma Donlon, lidhur me sjelljen e z. Haradinaj gjatë qëndrimit të tij në objektin e paraburgimit të DHSK-së. Ndonëse, kryetarja mori parasysh një sërë faktorësh që mund të jenë në favor të modifikimit të dënimit, ajo thekson se z. Haradinaj ka precedent disiplinor në Njësinë e Paraburgimit. Për këtë arsye, kryetarja urdhëroi administratoren që të paraqesë raport në lidhje me sjelljen e Haradinajt në NJP në të ardhmen brenda një periudhe të caktuar, në kontekst të vendimit mbi modifikimin e dënimit të tij.” – tha Griep, raporton Betimi për Drejtësi.
Ajo tutje ka thënë se edhe vendimi për lirimin e parakohshëm të Hysni Gucatit, i cili sipas saj është me disa kushte.
“Kryetarja e Dhomave të Specializuara, gjykatëse Ekaterina Trendafilova, më 12 tetor 2023 vendosi të modifikojë dënimin e z. Hysni Gucati për lirimin e tij në bazë të disa kushteve. Këto kushte do të jenë në fuqi gjatë pjesës së mbetur të dënimit të dhënë nga Paneli i Gjykatës së Apelit. Z. Gucati mbërriti në Kosovë më 17 tetor 2023.” – tha Griep.
Në këtë informim javorë, Griep ka thënë se edhe Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit më 16 tetor iu është vazhduar masa e paraburgimit.
“Në çështjen gjyqësore Hashim Thaçi dhe të bashkakuzuarit, trupi gjykues, më 16 tetor urdhëroi vazhdimin e paraburgimit të Hashim Thaçit dhe Kadri Veselit. Trupi gjykues vëren se në fazën në të cilën ndodhet procesi gjyqësor, nxirren në mënyrë të vazhdueshme emra dhe të dhëna të ndjeshme të dëshmitarëve për të akuzuarit. Trupi gjykues theksoi më tej atmosferën e vazhdueshme të frikësimit të dëshmitarëve dhe të ndërhyrjes në procese penale kundër ish-anëtarëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Për këtë arsye, trupi gjykues doli në përfundimin se ekziston ende rreziku që z. Thaçi dhe z. Veseli të pengojnë ecurinë e procesit gjyqësor dhe/ose të kryejnë krime të tjera. Gjithashtu, trupi gjykues konstatoi se vetëm nëpërmjet rregullave në fuqi për monitorimin e komunikimeve në objektin e paraburgimit të Dhomave të Specializuara mund të kufizohen komunikimet e tyre për të zvogëluar këto rreziqe.” – njoftoi zëdhënësja e DHSK-së.
/TV Malisheva