Zyra e Prokurorit të Specializuar në Hagë ka konfirmuar arrestimin e ish-kryetarit të Komunës së Malishevës, Isni Kilaj.
Në njoftimin për media thuhet se ai është transferuar në Objektin e Paraburgimit të Dhomave të Specializuara të Kosovës në Hagë dhe do të dalë para Gjykatësit të Procedurës Paraprake “pa vonesa të panevojshme”.
Në arsyetimin e Speciales thuhet se Kilaj dyshohet për vepra penale kundër administrimit të drejtësisë, “përfshirë pengimin e personave zyrtarë në kryerjen e detyrave zyrtare brenda kuptimit të nenit 401 të Kodit Penal të Kosovës (KPK) të vitit 2019, Kodi nr. 06/L-074, dhe shkeljen e sekretit të procedurave sipas nenit 392 të KPK-së, dhe nenet 15(2) e 16(3) të Ligjit nr. 05/L-053 për Dhomat e Specializuara dhe Zyrën e Prokurorit të Specializuar”.