Situata me koronavirus vazhdon të jetë e përkeqësuar në Komunën e Ferizajt, me 22 raste aktive. Kjo ka bërë që Shtabi emergjent në Komunën e Ferizajt, në bashkëpunim me institucionet qendrore, të marrë vendim që shërbimet e Kirurgjisë, Gjinekologjisë dhe Pediatrisë në Spitalin Rajonal të Ferizajt të transferohen në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë.

Ndërkohë, i gjithë objekti i Spitalit të Ferizajt tashmë është rikthyer në klinikë infektive. Në këtë spital aktualisht janë 39 pacientë të hospitalizuar, prej tyre 3 pacientë në gjendje të rëndë shëndetësore.

Kryetari i Komunës së Ferizajt, njëherësh shef i Shtabit emergjent, ka thënë se deri tashti hapësirat e Spitalit të Ferizajt kanë qenë të kufizuara për ta pranuar fluksin e madh të qytetarëve me COVID-19, ndërkohë tash ky institucion ka shtretër të mjaftueshëm, por edhe medikamente e gjëra të nevojshme për t’u përballur me këtë virus.

“Ne, Shtabi emergjent, kemi qenë të obliguar t’i marrim këto vendime për arsyeje se Spitali Rajonal i Ferizajt është me hapësirë më të vogël në krahasim me të gjitha spitalet e tjera të Kosovës, andaj vendimet tona kanë për qëllim ofrimin e shërbimeve sa më të mira për qytetarët. Kemi bërë bartje të shërbimeve mjekësore në nivelet e tjera, në këtë rast shërbimet e Kirurgjisë, Gjinekologjisë dhe Pediatrisë i kemi bartur në Prishtinë për arsye se hapësirat e Spitalit të Ferizajt janë të kufizuara për të pranuar fluksin e qytetarëve që kërkojnë shërbime mjekësore për COVID-19”, ka thënë Aliu./Tv Malisheva

Share.