Deputeti i PD-së Luçiano Boçi kërkoi që seanca e sotme plenare e Kuvendit të nisë me mocion me debat me Kryeministrin Edi Rama për çështjen e zyrtarit të FBI-së, McGonigal.
Në fjalën e tij, Boçi tha se në procesverbalin e seancës së kaluar nuk ka asnjë arsye për aktin, sipas tij, skandaloz të përjashtimit të deputetëve të PD-së për 10 ditë.
Ai tha se “ata nuk kanë kërkuar asgjë përveçse të drejtën e tyre për një mocion me debat për çështjen e financimit të me para në dorë nga Kryeministri të ish-agjentit të FBI-së McGonigal dhe anëtarëve të tjerë dhe bashkëpunëtorëve të tij për eliminimin e opozitës dhe kur opozita kërkon fjalën e saj se po sulmohet në vazhdimësi ju bëni aktin tjetër, asgjë më shumë asgjë më pak se vazhdim i atij skenari që tashmë ka kohë që këtu organizohet dhe zbatohet dhe që ka të bëjë me eliminimin e opozitës”.
“Është e njëjta mënyrë, e njëjta formë, paksa në miniature nëse Kryeministri paguan agjentët e FBI-së, korrupton ata dhe ky parlament është i korruptuar nga po ai. Është i korruptuar jo me para, jeni korruptuar ju, është korruptuar parlamenti në bazë të kërcënimeve, në bazë të dhunës që ushtrohet në këtë parlament për t’i hequr fjalën opozitës”, u shpreh Boçi.
Pas ndërprerjes së fjalës nga kryetarja e Kuvendit Lindita Nikolla, deputetët e PD-së rrethuan foltoren e Kuvendit ndërsa deputeti i PD-së Luçiano Boçi vazhdonte të fliste.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u kërkoi deputetëve që vërejtjet dhe kërkesat e tyre të depozitohen me shkrim duke theksuar se nëse ata, kanë ardhur me mendimin për të bllokuar seancën, kjo nuk do të ndodhë.
“Rregullorja e përcakton qartë. Interpelanca është futur në pikën e parë të rendit të ditës. Ndaj mos mbajmë ligjërime sikur medemek po respektojmë rregulloren”, u shpreh Nikolla.
Nga ana e tij, deputeti i PD-së Gazment Bardhi iu drejtua kryetares së Kuvendit Lindita Nikolla duke i thënë se ka shkelur rregulloren në seancën e shkuar, duke i mohuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës.
“Në procesverbalin mungon fjala e 54 deputetëve të opozitës. Ju në kundërshtim me rregulloren, vetëm nga frika që kryeministri të përballej me opozitën, i hoqët seancën e shkuar të drejtën e fjalës 54 deputetëve të opozitës. Sipas rregullores në rast se në sallë shkaktohet kaos, drejtuesi pezullon seancën. Nëse kaosi vijon, ndërpritet seanca dhe zhvendoset rendi i ditës. Akti i vetëm që mund të bëni sot, është anulimi i atij procesi të turpshëm votimi, ku u miratuan ligje pa i njohur dhe u dhënë të drejtën kushtetuese deputetëve të opozitës”, tha Bardhi.
Në fjalën e saj, deputetja e PD Jorida Tabaku tha se javën e kaluar në mënyrë antikushtetuese, iu hoq fjalë e gjysmës së këtij parlamenti për të diskutuar për akte të rëndësishme.
“Nuk mundet që parlamenti kur roli i tij kërkohet të forcohet, në momentin kur opozita duhet të përfshihet në procese të rëndësishme, nuk mundet parlamenti të kthehet në një zyrë normale të qeverisë. Keni plot institucione ku mund të debatoni dhe të diskutoni por të drejtën e fjalës sonë nuk mund të na e hiqni dot”, tha ajo.
Tabaku kërkon që të zhvillohet seancë me mocion me debat dhe njëherazi të zhvillohet dhe interpelanca e kërkuar nga Bardhi.
“Sot qytetarët kanë nevojë për transparencë, sot deputetët e opozitës kanë nevojë për transparencë. Sot ne ndodhemi në një moment ku çdo gjë që kemi thëne në të shkuarën është vërtetuar, dhe ju si kryetare Parlamenti ju intereson të bëhet kjo transparencë. Qeverisë i intereson të bëhet kjo transparencë. Kush po gënjen? Ne, FBI, ju? Ofroni shqiptarëve të vërtetë. Unë mendoj se ju nuk mund të fshiheni përjetësisht. Javën e kaluar kyçja e fjalës së deputetëve të parlamentit ka qenë antikushtetuese. Kërkesën për mocion me debat që është paraqitur javën e kaluar, kërkesën për mocion që është paraqitur tani unë mendoj se na takon ne të Konferencës së Kryetarëve të mblidhemi të ndalojmë seancën, të vendosim që të ketë seancë me debat, ndërkohë që të vazhdoje edhe interpelanca e kërkuar nga zoti Bardhi për Kryeministrin”, tha ajo. /ATSh
/TV Malisheva