Ndonëse janë investuar miliona në impiantin ikonik “Adem Jashari”, gjendja aktuale lë shumë për të dëshiruar.
Mes borxheve të shumta në ndërmarrje shtetërore dhe infrastrukturën e dëmtuar ky impiant rrezikon edhe të mbyllet, pasi që gjendja aktuale është e mjerueshme.
Vetëm në Ujësjellësin Rajonal “Mitrovica” janë mbi 69 mijë e 383 euro borxh.
Mes borxheve të shumta stadiumi “Adem Jashari” është në listën e zezë edhe të kompanisë KEDS.
Sipas informacioneve që janë marrë nga kompania përgjegjëse për distribuim të rrymës, Stadiumi Adem Jashari ka borxh 3758 euro.
Por, jo vetëm kaq!
Ambientet brenda zhveshtoreve janë përkeqësuar, e disa prej rrethojave të stadiumit edhe shitur në hekrari. Fusha e stadiumit së fundmi është kthyer edhe në fushë patatesh.
Përgjegjës për këtë gjendje në stadiumin “Adem Jashari” po shihet të jetë vetë Klubi Futbollistik “Trepça” që e menaxhon këtë impiant. Madje ‘xehtarët’ nuk kishin lejuar që Federata e Futbollit e Kosovës të ketë ‘hise’ në stadium, megjithëse këta të fundit kanë paguar jo rrallë herë borxhet nga e kaluara, pasi që kompanitë përgjegjëse kanë ndalur ujin dhe energjinë elektrike në prag të ndeshjeve të Kosovës.
Tashmë që është renovuar stadiumi “Fadil Vokrri” në kryeqytet, Trepça ka mbetur e vetme përballë borxheve të shumta.
Klubi i formuar në vitin 1932 gjithashtu nuk po kalon në një situatë të mirë organizative, teksa prej vitesh gjendet në Ligën e Parë dhe është dyshuar disa herë për trukim ndeshjesh.
Kundër drejtuesve aktual të klubit janë ngritur edhe tifozët “Torcida” që po kërkojnë ndryshime rrënjësore te ish-kampionët e vitit 2010.