Stadiumi “Liman Gegaj” ku i zhvillon ndeshjet si vendas klubi i futbollit “Malisheva”, po konsiderohet se nuk i plotëson kriteret për të zhvilluar ndeshjet e nivelit të Superligës së Kosovës.
Nevoja për ndërhyrje dhe përmirësimin e kushteve është urgjente dhe kërkesa për intervenim vjen duke nisur nga trajneri i kësaj skuadre, Arsim Thaçi, i cili thotë se pret ndihmë nga komuna dhe nga Federata e Futbollit për ta bërë këtë.
Thaçi: Kjo fushë nuk i plotëson kriteret për lojë
“Ne kemi pasur një takim me Kuvendin Komunal të Malishevës, ata na kanë premtuar që kjo fushë do të jetë e gatshme para fillimit të kampionatit. Ata kanë marrë hapa në drejtim të kësaj, ka filluar menjëherë që të punohet, të investohet te fusha, kanë filluar menjëherë procedurat që kjo t’i jepet klubit në shfrytëzim që të mundet Federata e Futbollit të ndërhyjë me ndihmën të cilën e kanë bërë edhe te klubet tjera. Realisht unë nuk e di se cila është procedura tek kjo pjesë, por deri më tani nuk kemi ndonjë ndihmë sa i përket Federatës së Futbollit te infrastruktura, përveç mundësisë që na ka dhënë vitin e kaluar që ne të luajmë në këtë infrastrukturë dhe në këtë vit nuk mendoj që kjo fushë nuk i plotëson kriteret. Si do që të jetë unë pres ndihmë, çoftë prej federatës, sidomos prej komunës e cila sivjet na ka garantuar që do të na ndihmoj në çdo aspekt”, theksoi Thaçi.
Mungesën e kushteve elementare si në fushë ashtu edhe në tribuna e potencon edhe kryetari i tifozerisë së këtij klubi, e njohur me emrin “Tornado”, Dardan Mazreku. Ai kërkon që sa më shpejtë të përfundohen punët e nisura dhe të krijohen mundësi më të mira si për lojtarët ashtu edhe për tifozët.
Mazreku: Si tifozeri, duam kushte më të mira infrastrukturore
“Në aspektin e infrastrukturës e cila ka filluar të riorganizohet, të rikonstrukturohet edhe në aspektin e tribunave edhe në aspektin e stadiumit, por çështja që ne na intereson më së shumti është çështja e tribunave dhe ta kemi një vend të përshtatshëm që ne ta zhvillojmë aktivitetin tonë mbështetës për klubin. Projekti i cili është bërë prej komunës që bashkërisht shpresojmë të përfundohet së bashku me klubin. Për ne është një ndihmë shtesë duke pasur parasysh që si tifozeri ne duhet ta kemi një vend të caktuar që të jemi në mënyrën më të mirë të mundshme të organizuar”, tha Mazreku.
Një përgjigje për të gjitha këto kërkesa është dhënë nga Drejtoria për Sport në Komunën e Malishevës. Fitim Shala që udhëheq me këtë dikaster, ka thënë se punimet në dhomat e zhveshjes në fushë dhe në tribuna do të përfundojnë në muajin shtator.
Shala: Në shtator do të përfundojnë punimet në stadium
“Punimet ne zhveshtoren e stadiumit ‘Liman Gegaj’ kanë filluar në vitin 2020 dhe ka qenë projekt dyvjeçar. Kemi një ndryshim të vogël tek zhveshtoret për shkak se i kemi shikuar disa kritere për të ardhmen, për licencim të stadiumit, e kemi një ndryshim të vogël. Punët janë duke vazhduar dhe pritet të përfundojnë në shtator të këtij viti… Investimi në zhveshtoret e stadiumit është krejtësisht investim i Komunës dhe kontrata përfshin një buxhet total prej 250 mijë eurove… Ne kemi pasur takime edhe me federatën, jemi duke pritur një përgjigje përfundimtare për shkak që kemi premtime që federata do të investojë në ndërrimin e tepihut, e cila do të jetë e klasit të parë e cila është gjysmë natyrale dhe po presim nga federata një përgjigje përfundimtare në mënyrë që klubi t’i zhvillojë ndeshjet në tepihun e ri”, tha Shala.
Ndryshe, Komuna e Malishevës në mbledhjen e fundit të saj ka ndarë një fond prej 100 mijë eurosh për ta ndihmuar klubin e futbollit Malisheva./TV Malisheva