Serbia do të duhet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet dypalëshe me palët e treta si Kina, në ditën e pranimit në Bashkimin Evropian, tha sot zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Stano shpjegoi se Serbia mund të lidhë marrëveshje tregtare me vende apo organizata të tjera përpara se të anëtarësohet në BE, me kusht që ato të mos bien ndesh me dispozitat e Marrëveshjes së Asociimit dhe Stabilizimit.
“Në kuadër të negociatave për anëtarësim në BE, Serbia mori përsipër të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet bilaterale për tregtinë e lirë në ditën e anëtarësimit në Bashkimin Evropian” – tha Stano për Radio Evropën e Lirë, me rastin e nënshkrimit të marrëveshjes tregtare ndërmjet Serbisë dhe Kinës.
Ai shtoi se tërheqja e Serbisë nga marrëveshjet tregtare me palët e treta nuk është “një kusht i ri, por një rregull i përgjithshëm që zbatohet për të gjitha vendet kandidate që duan të anëtarësohen në BE”.
Serbia dhe Kina nënshkruan sot në Pekin një sërë marrëveshjesh në prani të presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe presidentit kinez Xi Jinping, ndër të cilat më e rëndësishmja është Marrëveshja e Tregtisë së Lirë.
/TV Malisheva