Tri fitore, një barazim dhe një humbje. Ky është bilanci i skuadrës së Malishevës në edicionin debutues në Superligën e Kosovës në futboll.

Ekipi nga qytetëza e vogël e Kosovës po kalon formë të mirë në këtë fillim të edicionit në elitë dhe po konsiderohet si befasia e këndshme në pesë xhirot e para kampionale.

Malisheva qysh në javën e parë dha sinjale se do të jetë “arrë e fortë” edhe për “gjigantët” e futbollit, pasi ndali në barazim 1-1 Prishtinën kampione në shtëpi.

Jo shumë kohë nga kjo, futbollistët e drejtuar nga tekniku, Arsim Thaqi i dhanë leksion fituesit të Kupës dhe Superkupës së Kosovës, Llapit të cilën e mposhtën bindshëm 0-3 në stadiumin “Fadil Vokrri” në Prishtinë.

Kapiteni i Malishevës, Dren Kryeziu thotë se krejt kjo ecuri e mirë në fillim të kampionatit është për shkak të punës së mirë duke filluar nga kryesia e klubit deri tek lojtarët.

“Çelësi i suksesit është puna e mirë që po bën kryesia e klubit, tifozët dhe stafi në krye me super trajnerin, Arsim Thaqin si dhe për faktin se kemi lojtarë shumë cilësor që po e dëshmojnë vetën çdo ndeshje”, u shpreh Kryeziu.

Duke parë rezultatet pozitive në xhirot e para të elitës së futbollit e Kosovës, natyrisht se “apetiti” i ekipit malishevas është shtuar.

Kryeziu thekson se Malisheva do të luftojë për top katërshen, e cila siguron një vend në garat evropiane.

“Synimi është mesi i tabelës. Por, siç jemi duke u paraqitur pse jo edhe të jemi në top katërshe, sepse jemi duke e dëshmuar punën që kemi bërë”, nënvizoi ai.

Ndër lojtarët me përvojën më të madhe në futbollin e Kosovës te Malisheva është edhe Mërgim Pefqeli që iu bashkua “Rriqrave” afatin kalimtar të verës.

Sulmuesi vlerëson punën e trajnerit, Thaqi, ndërsa ka treguar njërën ndër arsyet që sipas tij ka sjellë ecurinë pozitive.

“Ecuria pozitive e skuadrës tonë është besimi dhe respekti për njëri-tjetrin. Puna e shkëlqyer e trajnerit, Arsim Thaqit si dhe mbështetja e lojtarit të 12-të i quajtur “Tornado”, tha Pefqeli.

“Jemi duke punuar shumë dhe me koncentrim maksimal. Jemi një grup i ri dhe lojë pas loje po mundohemi ta njohim njëri-tjetrin më shumë. Ne kemi besim në grupin që e kemi dhe do mundohemi të vazhdojmë me këtë ritëm që kemi filluar dhe të jemi befasia e këtij sezoni”, theksoi ish-sulmuesi i disa top skuadrave.

Malisheva javën e ardhshme do të luajë në shtëpi, derisa e pret një kundërshtar tejet të vështirë siç është Ballkani.

“Bardhekaltrit” ndodhen në pozitën e tretë me tetë pikë të tubuara, një më pak se Drita e Ballkani që ndajnë vendin e parë.

Kujtojmë se Malisheva është formuar si klub vetëm pesë vite më parë.

Share.