Dy partitë opozitare, Partia Demokratike dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, konsiderojnë se Qeveria Kurti, megjithëse e ka shumicën më të madhe që ka pasur ndonjëherë ndonjë parti në Kuvend, nuk ka arritur as për së afërmi ta përmbushë agjendën e paraparë legjislative. Nga ana tjetër, partia në pushtet, e konsideron si shumë produktive këtë legjislaturë.

Deputetja e Listës Guxo, Jeta Statovci, ka thënë, se sesioni pranveror është përmbyllur me numër rekord të Projektligjeve, ndërsa për vonesat për vonesat e projektligjeve ka një arsyetim.

“E dimë që sesioni pranveror është përmbyllur me një numër rekord të Projektligjeve në historinë e parlamentarizmit të Kosovës. Nëse e shikojmë në tërësi vitin, pra ne kemi rreth 110 Projektligje që kanë kaluar në dy lexime. Pra një volum mjaft i madh”.

Por, sipas saj, ka disa ligje të cilat vonohen për shkak të kërkesës nga ministritë që t’iu përshtaten “rrethanave të reja”.

“Nëse e shikojmë Ligjin për burime të ripërtërishme, i cili ka një rëndësi të veçantë, në justifikimin e Ministrisë ka qenë që rrethanat e reja energjetike si dhe ndryshimi i politikave edhe në Bashkimin Evropian karshi stimulimeve për burimet e ripërtërishme në energji, ka kërkuar që të përshtatet këtyre rrethanave të reja që është duke i aplikuar edhe BE-ja”, tha Statovci.

E deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Blerta Deliu-Kodra, e konsideron si të dobët dhe joproduktive këtë legjislaturë, pasi thotë se partia në pushtet ka proklamuar më shumë punë.

“Nëse i shohim premtimet ose agjendën legjislative të cilën e ka bërë kjo qeveri, e cila që në start e kemi thënë që është përtej potencialit që do ta ketë për miratimin e ligjeve, e shohim që në fakt ka një dështim. Kjo legjislaturë do të duhej të arrinte që të kalonte një numër të madh të projektligjeve, sidomos kur kemi parasysh faktin se kemi një qeveri e cila ka shumicën më të madhe ndonjëherë. Dhe pritjet kanë qenë se nuk do të ketë zvarritje të miratimit të ligjeve”.

“Por, statistikisht i bie që në vitin 2022 Kuvendi ka miratuar në lexim të dytë 16 projektligje, që minimumi i projektligjeve të cilat duhet të kalojë Kuvendi krahasuar me pritjet që kemi pasur të gjithë se do të ketë një funksionalitet më të madh të Kuvendit”.

Kritika ka edhe për vonesën e Raportit të Punës për Qeverinë për vitin 2022. Rikujton se raporti është sjellë në muajin tetor, por as pas pesë muajve nuk është trajtuar.

“Nëse e shohim përmbushjen e agjendës në vitin 2021, atëherë kemi 19.2 për qind të përmbushjes së agjendës legjislative nga kjo qeveri që prapë është minimumi”.

“Keni parasysh që në rend dite kemi ligje të cilat kanë qenë në sesionin pranveror, dhe atë vjeshtor të vitit të kaluar. Për disa ditë më radhë e kemi pasur në rend dite Raportin për Vendin dhe merreni me mend, ky raport është publikuar muajin tetor, ndërsa jemi pothuajse në gjysmë të muajit mars dhe ka fare pak kuptim që 5 muaj tutje, ne ende mos të arrijmë që ta kemi në diskutim njërin prej raporteve më të rëndësime të vendit, për të parë sfidat, obligimet që i ka qeveria, për të parë se ku kemi mbërritur si shtet në përmbushjen e obligimeve që i ka Kosova në raportin për vendin”, u shpreh ajo.

Edhe deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadriaj, thotë se vonesat në sjelljen e Projektligjeve nga ana e Qeverisë nuk janë të arsyeshme.

“Në Komisionin për Punë të Jashtme dhe Diasporë, ku jam edhe anëtare, janë paraparë plot ligje, si Ligji për Shërbimin e Jashtëm edhe Ligji për Diasporën edhe plot ligje të tjera. Janë paraparë, vit pas viti që të sillen, janë në agjendë legjislative, por nuk sillen nga Qeveria. Më pas po procedohen në vitin tjetër kalendarik dhe në fakt kemi vonesa që nuk janë të arsyeshme, sepse nëse vetë Qeveria e ka planifikuar duhet t’i sjellë në kohën që e ka paraparë, në mënyrë që edhe komisioni të procedojë më tutje”.

Ndonëse kanë propozuar shpesh herë nisma legjislative, Kadriaj thotë se VV-ja po po i injoron ato të opozitës. Thotë se primare i kanë vetëm ato që i propozon grupi parlamentar i VV-së.

“Është e drejta e opozitës edhe grupit të deputeteve me e nisë ndonjë nismë legjislative, mirëpo duke e parë se deputetët e mazhorancës votojnë veç ato nisma që vijnë prej Qeverie, se di sa e ka kuptimin që të niset të shpenzohet me dëgjime publike. Por ne kemi pasur së paku një nismë dhe besoj që edhe në të ardhmen do të kemi nisma të tjera legjislative”, u shpreh Kadriaj.

/TV Malisheva

Share.