Nga Emil Lafe dhe Xhevat Lloshi

Jemi në ditët e 140-vjetorit të Shoqërisë së të Shtypuri Shkronja Shqip (Shoqëria e Stambollit). Dy gjuhëtarët tanë të njohur, Prof. Emil Lafe dhe Prof. Xhevat Lloshin kanë përgatitur një libër që del së shpejti në qarkullim për këtë ngjarje të madhe kulturore. Më 1 nëntor do të mbahet në Tiranë një konferencë e posaçme shkencore. Në vijim po botojmë të plotë Statutin (Kanonizmën) e Shoqërisë së Stambollit dhe emrat e firmëtarëve të saj. Kjo kanonizmë botohet për herë të parë, ashtu sikurse është shkruar më 1879.

 

Faqe 1

KANONIZMË

e Shoqërisë të shtypuri shkronja Shqip.

Ndë Konstandinupojë

mbë 1879

Ndë shkronjështypëtoret të A. Zelicit.

Gjithë sa kombe janë të ndrituarë dhe të qytetëruarë(*) janë ndrituarë dhe qytetëruarë prej shkronjash[i] ndë gjuhët të veta. Edhe xhdo komp, që nukë ka shkruarë gluhën’ e vet, edhe s’ka shkronja ndë g-juhët[ii] të vet është ndë t’errëtë dhe barbar. Edhe Shqipëtarëtë tue me mos shkruarë gjuhën’ e tyre dhe tue me mos pasurë shkronja ndë gjuhët të tyre kështu gjëndenë, edhe pandohma[iii] e shpresa këtu e tri mijë vjet përpara (sa që munt të njgjitet’ istoria) që të ndritoheshinë dhe qytetëroneshinë me gjuhët të fëqinjet e të huajet u dëftye e kotë, edhe trimëria e të miratë, që kanë

Faqe 2

derdhurë gjer mbë sot, fëqinjet e të huajet u kanë vëjejturë, edhe për ata vetë kanë vaturë dëm. Andaj ata që mendonenë dhe shohënë këtë të madhe të keqe, shohënë dhe të madhe nevolë[iv] të shkruanjënë gjuhënë edhe të kenë shkronja e të këndonjënë ndë gjuhët të tyre. E kështu bënetë shoqëri Shqypëtarësh për të shtypurë shkronja ndë gluhët Shqip, edhe quhetë

Shoqëri e të shtypuri shkronja Shqip.

Edhe fillohetë ndë Konstandinupojë sot ditën’ e dielë të tridhetëtën’ e Vjeshtësë parë, të një mij’ e tetë qint e shtatë dhet’ e nënttit vit pas lindjesë Krishtit, dhe të njëzet e gjashtëtën’ e muajt arabisht Sheval, të një mij’ e dy qint e nëntë dhet’ e gjashtëtit vit pas Hixhresë (ikjesë nga Meka ndë Mediné) Muhametit, me të tillë kanonizmë.

  1. Shkronjatë, që do të shtypnjë kjo shoqëri, do të jenë shkronja mësimi, ndo shqip të

Faqe 3

parë herë shkruarë, ndo prej gjuhërash të huaja shqipëruarë.

  1. Xhdo shkronjë, që do të stypnjë[v] kjo shoqëri, do t’e ceninjë[vi], edhe përmbi ç’ka prishurë ndë të shtypurë do të vërë dhe fitim, sa të shohë të udhësë, edhe ajo vetë do t’e shesë; po fitimnë do t’e ndanjë mbë pesë pjesë, prej së cilash katërë do t’j’a apë shkronjësit për mundimet të ti, edhe një do t’e mbanjë për të tilla përsëri punëra. Edhe tue shiturë më përpara do të mbanjë sa prishi ndë të shtypurë. Pastaj nga sa të shesë katërë të pesta prej copëvet shitjesë do t’j’a apë shkronjësit, edhe një të pestë do t’e mbanjë, si u tha, gjer sa të mbaronetë të shituritë.
  2. Që të bënetë kjo ndërmëndj’ e Shoqërisë[vii] të shtypuri shkronja Shqip punë, duhetë shokëtë[viii] gjithë të falnjënë ndë Shoqërit gjëkafshë ndë ar (flori) a ndë ergjënt, a dhe ndë tjatrë gjë të vëjerë, sicili sa i mundetë dhe i do zëmëra, për mot një herë, a dhe një herë për-

Faqe 4

njëheresh kush të dojë të falnjë përnjëhere ç’i do zemëra të falnjë mbë dhetë vjet radhazi, për krerë[ix] të Shoqërisë.

  1. Sa copë që të mblidhenë prej së falurash ndë Shoqërinë që të gjitha do të jenë krerë të përjetëshm (κεφάλαια αἰώνια) të Shoqërisë. Edhe ozurënë (tókonë, faizë) e atyre vetëmë ka me përdorunë ndë punërat të saj, tue bërë kaqë punëra, sa të muntnjë të harrinjë për to ozura.
  2. Shoqëria e të shtypuri shkronja Shqip do të rritetë; andaj pret me krahë hapëtë këdo Shqipëtar, që i do zëmëra të shohë e të këndonjë shkronja ndë gjuhët të vet, edhe do të hynjë ndë Shoqërinë, edhe prej Muhametanësh, edhe prej Katholikësh, edhe prej Orthodhoksësh që të gjithë gjithënjë pa ndonjë çquarje[x], edhe ka me shkruem emërinë sicilit ndë vivllët Mëmëtore[xi] pas radhësë që të hynjë ndë Shoqënit. Edhe prej të huajet, kushdo që do të mirën’ e Njerëzisë edhe do të rynjë ndë këtë Shoqëri,

Faqe 5

e pret me krahë hapëtë dhe me gëzim edhe i ka me shkruar’ ëmërinë ndë Mëmëtoret pas radhësë të hyrit, edhe e ka me qujtunë shok dhe vëlla edhe ndë ballët të Shqipëtarëvet.

  1. Gjithë shokët’ e Shoqërisë të shtypuri shkronja Shqip nga an’ e asaj janë shok’ e vëllezërë barazi, edhe që prej ëmërit shoqëni kjo po ësht’ e diturë. Edhe që të gjithë janë me nder, po edhe pas së mirësë që të ketë bërë sicili: mbë më shumë kush ma shumë të mirë ka bam, edhe kush ma më shumë të mirë ka bam, mbë ma më shumë nder, sindëkur është dhe e udhësë.
  2. Shoqënia e të shtypuni shkronja Shqyp do të mbëlidhenë shokëtë një herë në muajt edhe një herë ndë kryet të xhdo viti, edhe jashtë sërësë kurdo që të jetë nevojë, për me shikuem punët’ e Shoqënisë e me ditunë që të gjithë.
  3. Posa të bënenë shokëtë pesë mbë dhetë, a më shumë, të mbëlidhen’ e të xgjedhënë ndë-

Faqe 6

këmbës(*), të cilëtë të gjithë bashkë do të bënjënë ndëkëmbësinë, që të mendonet’ e të vërë punët’ e Shoqërisë ndë udhë, edhe t’i shikonj’ e t’i ketë kujdes.

  1. Ndëkëmbës do të xglidhenë sa që të duhenë pas kohësë, po dhe nukë më pak se tre veta; një për krye, që të shikonjë e të drejtonjë punët’ e Shoqërisë; edhe një për shkronjës, që të shkruanjë kartërat’ e Shoqërisë, të cilavet t’u mbanjë dhe shkronjëngritje (kopje), edhe gjithë punëtë, sindëkur duhetë; edhe një për copëmbanjës[xii] (ταμίαν), që të mbanjë copët e Shoqërisë, edhe të shënonjë gjithë të marrat’ e të dhënat’ e Shoqërisë, sindëkur duhetë, ndë vivllëra e t’i ketë të qëruara,

Faqe 7

edhe për gjithë të marrat të apë dorë[xiii] (ὑπογραφὴν, ἀπόδειξιν) të prerë prej vivlle, që ndë të të jenë shkronjështypurë dymëzaj, për të mbeturë njera ndë mëmët për dëftim edhe për të mos bërë lathirra[xiv]. Edhe që të tre të shkruhenë ndë kartërat të Shoqërisë, sicili ndë ato q’i bie të shkruhetë; të shkruhenë dhe kudo që duhetë të shkruhenë dy, a që të tre bashkë.

  1. Ndëkëmbësitë do të xgjidhenë për tre vjet, edhe me psifë(*) të fshehëtë. Pas të tre vjetet parë ndë kryet të tre vjetet dytë, ndë u pëlqefshinë e të xgjidhenë për së dyti, të rrinë përsëri tre vjet. Kështu, ndo të gjithë u pëlqefshinë, ndo ca, ndo një vetëmë. Ndë mos u pëlqefshinë, të xglidhenë qëashtu të tjerë të rinj,

Faqe 8

edhe të vjetrëtë t’u dëftenjënë punëtë dhe t’u apënë copët’ edhe duart’ edhe kartërat’ edhe vivllëratë të rinjet pa kundrëfjalë dhe të hiqenë mbë nj’anë. Kështu, ndo për të gjithë qoftë, ndo për ca, ndo për një vetëmë. Edhe poashtu edhe ndë të tre vjet e tretë dhe të tjerët pas.

  1. Ndë u zëntë ndonjë, a ndoca prej ndëkëmbëset, a të gjithë, ndë punë të ligë, të qitetë, a të qitenë, sakaqëherash pa kundrëfjialë[xv], edhe të xgjidhetë, si u tha, tjatrë, a të tjerë.
  2. Cilido dhe kurdo që të bënetë copëmbanjës, të apë dorëzënë[xvi] të mirë për copët, që do t’i shkonjënë ndë dorë, pa thënë Shoqëria, se qe ku e thotë që ndë kryet një herë për kurdo dhe për gjithë.
  3. Ndëkëmbësia të dëftenjë mbë xhdo mbledhje të Shoqërisë të marratë dhe të dhënatë edhe gjithë punëtë.
  4. Shoqëri’ e të shtypuri shkronja Shqip do të zgjeronetë (zgjanohetë) kudo ka Shqipëtarë. Andaj ka me bërë zë tue shkruar’ e tue dër-

Faqe 9

guarë kanonizma, për të bërë shokë. Po shokët’ e xhdo vëndi, që ishtë kaqë lark nga të tjerëtë, sa shokët’ e ati nukë munt të mbëlidhenë pas kanonizmësë, kanë me bërë degë mbë vet-he[xvii], edhe do të kenë ndëkëmbësi mbë vet-he, edhe do të qeverisenë qëashtu pas kësaj kanonizmeje mbë vet-he; por nukë kanë me u qujtunë tjatrë shoqëni, përvaç[xviii] degë e kësaj shoqënie.

  1. Kur të bënenë dy dega, edhe sa me qenë dy, ndëkëmbësit’ e tyre të shkruanjënë njera jatrësë gjithë punëtë, si të bërë shok, e të falurë gjë, edhe xhdo farë tjatrë pune, për me shkruem sicila të jatrësë ndë vivllat të saja e me ditunë të tërë Shoqëninë dhe punët’ e asaj. Kur të bënenë tri, a shumë dega, ndëkëmbësit’ e tyne kanë me xgjedhunë ndëkëmësin’[xix] e njëje për kryendëkëmbësi (ἀρχιεπιτροπὴν), që ajo të mendonet’ e të drejtonjë gjithë ndëkëmbësit’ e Shoqërisë. Edhe te ajo xhdo degë të shkruanjë me anët të ndëkëmbësisë saj jithë[xx] punët’ e saja;

Faqe 10

edhe ajo që ashtu të tjeravet dega, për me ditun’ e me shkruem që të gjitha punët’ e Shoqënisë tërë, edhe me qenë në të gjitha e tërë Shoqënia, edhe të gjitha bashkë një shoqëni për atë të mirë, të mësuarit e të ndrituarit të Kombit.

  1. Kryendëkëmbësia të xgjidhetë me dashurit të më të shumavet nga ndëkëmbësitë për tre vjet, sa dhe ndëkëmbësitë. Pas të tre vjetet, ndë dashinë më të shumat’ e ndëkëmbësivet e të xgjedhënë përsëri atë, ka të mbesë përsëri dhe tre vjet të tjerë. Ndë mos dashinë më të shumatë. të ndërronetë dhe të xgjidhetë tjatrë me dashurit të më të shumavet. Qëashtu dhe mbë xhdo trevitë (τριετίαν).
  2. Ndë u pakësofshinë shokët’ e ndonjë dege nga të vaturë ndë tjatrë vënt për punë të vetë, a nga tjatrë punë, sa të mos muntnjënë të kenë pas kanonizmësë ndëkëmbësi, të dërgonenë vivllëratë dhe kartëratë dhe duartë dhe copët’ e asaj dege ndë ndëkëm-

Faqe 11

bësit, që është kryendëkëmbësi e ndëkëmbësivet gjithë degavet.

  1. Posa të shtonenë krerët’ e Shoqërisë, sa të muntnjë me ozurët të tyre të ngrehnjë shkronjështypëtore mbë vet-he, e ka me ngritunë, edhe do të shtypnjë dhe një fletë (efimeridhë, gazetë) ndë javët, edhe do t’e shesë me pak fitim, ndë muntë, për të mirat të ndërmëndjesë saj.
  2. Ndë u shumofshinë krerët’ e Shoqërisë, sa me ozurët të tyre edhe shkronja të shtypnjë, edhe të tepëronjënë, ka me hapurë dhe mësonjëtore a mësonjëtorera (σχоλεῖα) Shqyp ndë Shqypëni ku që të shohë për ma mirë. Ndë u shumofshinë dhe shum’ e më shumë, shum’ e më shumë ka me shumuarë mesëzat’[xxi] e të mësuarit dhe të ndrituarit Kombit.
  3. Shoqëria do të ketë dhe vulë, edhe rrotulë[xxii] ndë vulët të jetë grobiturë[xxiii] ëmër’ i saj «Shoqëri e të shtypuri shkronja Shqip», edhe ndë mest shqipezë; edhe gjithë kartëratë e

Faqe 12

Shoqërisë, veç se do të kenë duart’[xxiv] e ndëkëmbësisë, të vulosenë dhe me vulët. Edhe do të jenë kaqë vula, sa dhe dega të Shoqërisë.

  1. Vulënë t’e mbanjë dhe t’e ruanjë shkronjës’ i Shoqërisë, po dhe të tjerëtë ndëkëmbës do të vulosnjënë me të, sindëkur u tha: se gjithë kartërat’ e duart’ e Shoqërisë do të vulosenë dhe me vulët.
  2. Shoqëri e të shtypuri shkronja Shqip do të rronjë gjithë jetënë ndë të përtëriturë prej shokësh të rinj, si dhe Kombi. Edhe krerët’ e saj do të jenë të padënuarë[xxv] për gjithë jetënë, sindëkur u tha, edhe, posa të mbëlidhenë prej së falurash ndë xhdo degë, të epenë ndë bangëra[xxvi] më të sigurtat të vëndit, që të punohenë me ozurë, edhe ndë kryet të xhdo viti të ngrihen’ andej, edhe me anët të ndëkëmbësivet dhe të kryendëkëmbësisë të mbëlidhenë që të gjithë degavet bashkë, edhe të bënenë të gjithë ndë ar, edhe të epenë me ozurë ndë një bangë, që të jetë më e mira dhe e sigurta dhe e palë-

Faqe 13

vizura, edhe të jenë të palëvizurë dhe të padënuarë për gjjthë[xxvii] jetënë. Edhe ozur’ e tyre të prishetë gjithë jetënë për ato punëra të ndërmëndjesë saj, të msuarit e të ndrituarit Kombit, edhe mos për tjatrë punë kurrë.

  1. Kush të ketë shkruarë, a shqipëruarë, shkronjë, si u tha, edhe do t’e shtypnjë me anët të Shoqërisë të shtypuri shkronja Shqip, t’e apë ndë ndëkëmbësit të degësë që ndodhetë më afërë, edhe ndëkëmbësia, si t’e këndonjë, ndë e paftë, se vëlen për të shtypurë, t’e çonjë ndë kryendëkëmbësinë; edhe ajo, si t’e këndonjë, ndë e paftë qëashtu të vëlyerë, t’e shtypnjë pas radhësë të vaturit edhe sindëkur u tha më siprë.
  2. Mbledhj’ e Shoqërisë ndë muajt do të jetë të diel’ e parë të xhdo muaj, veç, ndë rëntë atë të dielë Pashkë a Bairam, do të bënetë tjatrënë a më tjatrënë të dielë, kur s’është Pashkë a Bairam. Edhe të diel’ e parë të muajt kryesë xhdo viti do të bënetë mbëledhjë dhe e

Faqe 14

ati muaj dhe e ati viti, veç, ndë rëntë Bairam, do të bënetë tjatrënë, kur s’është Bairam. Edhe të diel’ e parë të muajt të kryesë xhdo trevite do të bënetë mbëledhjë dhe e ati muaj dhe e ati viti dhe e asaj trevite, veç, ndë rëntë Bairam, do të bënetë tjatrënë, sindëkur u tha, kur s’është Bairam. Kështu i gërshet shokëtë Shoqëria për mbëledhjerat një herë për kurdo.

  1. Këtë kanonizmë e bëri Shoqëria për gjithë jetënë sa të jetë Shoqëria. Po, ndë daltë ndonjë fjalë nga sa u shkruajtinë e tepërë e të bjerë dëm ndë Shoqërinë, ndë mëbledhjë të trevitësë a të trevitëravet të shuhetë me psifë të më të shumavet ndëkëmbësive të Shoqërisë. Ndë u dashtë dhe të shtonetë fjalë a fjalëra për të mirët dhe të shëndoshurit të Shoqërisë, të shtonetë qëashtu ndë të atillë mbëledhje.

Këtë kanonizmë të Shoqërisë të shtypuri shkronja Shqip e fuqojmë (ἐπικυροῦμεν)

 

Faqe 15

duart tona[xxviii] ne prej shokësh, që dukemi shkruarë ndë funt sicili me dorët të vet. Edhe nukë kena(*), as duamë, ndonjë nder ma tepërë se shokët’ e tjerë, që kanë me u ba pas nesh; por i lutemi Zotit jetësë, të vejë mbarë shoqënia jonë, Shoqënia e të shtypuni shkronja Shqyp.

Ferid-Vlora.

Mehmed-Ali-Vrioni.

Vejsel-Dinua.

Ibrahim-Dinua.

Abdyl-Frashëri.

Sami-Frashëri.

Mustafa-Janina.

Sejfullah-Zavalani.

Ahmet-Shefkiu Gjinokastriti.

Dr Ibrahim-Starova.

 

Faqe16

Pashko-Vasa Shkodrani.

Noç-Xhuxh            “

Nikollë-Bonati        “

Gjon-Bonati           “

Koto-Hoxhi.

Koto-Sotiri.

Pandeli-Sotiri.

Nano-Petri Saraqinishtasi.

Nikollë-Stavro-Vasua Qestoratasi.

Anastas-Kostandin-Frashëri.

Vasil’ i P. Ndrekosë Postenanasi.

Dhaniil’ i Dh. Adhamit Oparaku.

Mihal’ i A. Plumbit Përmetasi.

Konstandin’ i N. Haxhopullit Ixgarasit.

Vasil’ i Vangjelit Delvinasi.

Harallamb’ i P. Pulëshitësit Delvinasi.

Janço-Kosta Ogrenasi.

Ioan-Vretua Postenanasi.

 

Shënim.

Për herë të parë në këtë vëllim Kanonizma botohet me faksimile dhe e transliteruar pikë për pikë sipas origjinalit, me gjithë shënimet në fundfaqe. Është mbajtur pikësimi dhe shkrimi i shkronjave të mëdha sipas origjinalit. E kemi quajtur të panevojshëm shënimin e theksit mbi zanoren e theksuar të fjalës si në origjinal (atá, të kéqe, kështú etj.). Për të lehtësuar leximin, pjesëza u e trajtave pësore-vetvetore është shkruar ndaras nga folja dhe jo njësh me foljen si në origjinal; pjesëzat do të në trajtat e së ardhmes janë shkruar ndaras dhe jo njësh si në origjinal (dotë). Për të lehtësuar të kuptuarit e tekstit, janë shtuar një varg shënimesh fundore. Falënderoj kolegët: dr. Thoma Qendro, prof. asoc. Anila Çepani, prof. Dhori Qirjazi, dhe prof. Anila Omari, që e ballafaquan me durim e me kujdes tekstin e transliteruar me origjinalin dhe ndihmuan për mënjanimin e pasaktësive të vërejtura. (Emil Lafe)

* Qytet = πόλις, qytetëronem = πολιτίζομαι, i qytetëruarë = πεπολιτισμένος.

* Ndëkëmbës = ἐπίτροποι, Elin., veqillér Tur. Këtë fjalëzë e bëm nga fjala që themi, Kë ke lënë ndë këmbë, Kam lënë ndë këmbë akëcilënë. Edhe prej ndëkëmbës bëjmë ndëkëmbësi = ἐπιτροπὴ, si prej mburrës mburrësí dh. t. (= dhe të tjera – Red.)

* Psifë është fjalëzë elinishte, edhe psifëra thuhenë gurëthit’ e vogjëlë të zallit, që me ata, Elinët e moçim xgjidhinë të parëtë ndë punëra të bashkëta.

* Kena (Shkodrianisht) = kemi.

[i] prej librash (fjala shkronjë është përdorur këtu me kuptimin ‘libër’, ndërsa ato që quajmë sot shkronja, në Allfabetaren e Shoqërisë së Stambollit janë quajtur shkronjëza, e së këtejmi edhe emërtimi “Shoqëri e Shkronjëzave”, i përdorur shpeshherë.

[ii] në origjinal është shkruar me shkronjat g e j dhe jo me shkronjën e veçantë për bashkëtingëlloren /gj/ (shih faksimilen); kjo do të thotë se duhet lexuar g-juhët, sipas shkodranishtes, prandaj në transliterim kemi shënuar një vizë ndërmjet shkronjave e j.

[iii] pandehmë (gabim shtypi ose ndonjë trajtë nëndialektore).

[iv] trajtë e çamërishtes: nevojë.

[v] shtypnjë (gabim shtypi në origjinal).

[vi] do t’i vërë një çmim.

[vii] ajo që ka ndër mend të kryejë Shoqëria, shestimi i Shoqërisë.

[viii] anëtarët.

[ix] krerët – kapitali, kryegjëja.

[x] pa ndonjë dallim.

[xi] amza, regjistri themeltar.

[xii] arkëtar.

[xiii] dëftesë.

[xiv] lajthitje, gabime; duhet lexuar lathir-ra (me dy r veç e veç), sepse në alfabetin e Stambollit r-ja e fortë (rr) shënohet me shkronjën p dhe jo me dy r si sot (rr).

[xv] kështu në origjinal.

[xvi] dorëzani (kemi të bëjmë me një dëshmi me interes për historinë e kësaj fjale dorëzënë – dorëzanë).

[xvii] kemi përdorur vizën (-) në transliterim, kur në origjinal ka th; bashkëtingëllorja /th/ në alfabetin e Stambollit shënohet me një shkronjë të veçantë (krahaso faksimilen).

[xviii] përveç (gabim shtypi në origjinal).

[xix] kështu në origjinal.

[xx] gjithë (gabim shtypi në origjinal).

[xxi] mjediset, lokalet shkollore.

[xxii] kështu në origjinal.

[xxiii] gdhendur.

[xxiv] nënshkrimet.

[xxv] kapitali a kryegjëja e saj nuk do të preket.

[xxvi] banka.

[xxvii] gjithë (gabim shtypi në origjinal).

[xxviii] e vërtetojmë me nënshkrimet tona.

Gazeta Dita

 

Share.