Presidenti gjerman, Frank-Walter Steinmeier i ka bërë thirrje presidentit rus Vladimir Putin që të tërhiqet menjëherë nga Ukraina.
“Respektoni sovranitetin e Ukrainës, ndaloni luftimet”, bëri thirrje Steinmeier në ceremoninë e hapjes së Konventës Katolike në Shtutgart.
“Zoti Putin, jepini fund vuajtjeve dhe shkatërrimeve në Ukrainë! Tërhiqni trupat tuaja! Dhe mos refuzoni bisedimet e drejtpërdrejta dhe serioze me presidentin Volodymyr Zelensky”, tha ai, raporton atsh.
“Lufta e Putinit nuk po prek vetëm banorët në Ukrainë. Për shkak se miliona tonë drithëra po bllokohen në portet detare të Ukrainës, çmimet globale të grurit janë rritur në mënyrë dramatike”, tha Steinmeier.
“Shumë vende në botë kërcënohen nga uria dhe vdekja në muajt e ardhshëm, veçanërisht në Afrikën lindore dhe jugore”, paralajmëroi Steinmeier.
“Pasojat e luftës së Putinit po godasin shtetet që ende nuk janë rimëkëmbur nga pandemia e koronavirusit, dhe ato po godasin rajonet ku tokat po thahen dhe po bëhen jopjellore për shkak të krizës klimatike”, tha presidenti gjerman. /TV Malisheva