Njerëzit me presion të lartë të gjakut që marrin paracetamol me recetë mund të kenë një rrezik më të lartë të sulmit në zemër dhe goditjes në tru, tregon një studim i ri.

Mjekët duhet të marrin parasysh rreziqet dhe përfitimet për pacientët që marrin paracetamol për disa muaj, thonë studiuesit nga Universiteti i Edinburgut. Ata shtojnë se për dhimbje koke dhe temperaturë mund të merren pa frikë.

Ekspertë të tjerë thonë se kërkimi duhet të kryhet në shumë njerëz për një periudhë të gjatë kohore për të konfirmuar gjetjet e studimit.

Paracetamoli përdoret gjerësisht në mbarë botën si një qetësues dhimbjesh afatshkurtër, por përdoret gjithashtu për dhimbjet kronike, pavarësisht nga dëshmitë e pakta të përfitimeve nga përdorimi i tij afatgjatë.

Gjysmë milion njerëz, ose 10 për qind e popullsisë skoceze, morën ilaçe kundër dhimbjeve në vitin 2018. Gati një e treta e njerëzve në Britaninë e Madhe vuajnë nga presioni i lartë i gjakut, raporton BBC.

Studimi përfshiu 110 vullnetarë dhe dy të tretat po merrnin ilaçe për presionin e lartë të gjakut ose hipertensionin. Nëpërmjet një mostre të rastësishme, atyre iu kërkua të merrnin 1 gram paracetamol katër herë në ditë për dy javë – doza e zakonshme për pacientët me dhimbje kronike, e ndjekur nga një placebo për dy javët e ardhshme.

Studimi zbuloi se paracetamoli rrit presionin e gjakut, një nga faktorët më të rëndësishëm të rrezikut pas sulmeve në zemër dhe goditjeve në tru, shumë më tepër se placebo, thotë profesor James Dear, një farmakolog klinik në Edinburg.

Studiuesit këshillojnë mjekët që pacientëve me dhimbje kronike t’u japin sa më pak doza paracetamoli dhe t’u kushtojnë vëmendje të veçantë atyre me presion të lartë të gjakut dhe atyre në rrezik për të zhvilluar sëmundje të zemrës.

Një studim i madh i kryer në Shtetet e Bashkuara më parë zbuloi një lidhje midis përdorimit afatgjatë të paracetamolit dhe rritjes së rrezikut të sulmit në zemër, por nuk mund të provonte se njëri shkakton tjetrin. Studime të tjera më të vogla gjithashtu nuk kanë arritur të konfirmojnë lidhjen.

Share.