Qendrat Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC) kanë publikuar rezultatet e një studimi që analizoi efektet anësore të vaksinës kundër COVID-19 te fëmijët.

Në provat përpara autorizimit të Pfizer, vaksinimet në fëmijët e moshës pesë deri në 11-vjeç raportuan reaksione të lehta deri të moderuara lokale dhe sistemike. Asnjë ngjarje serioze e lidhur me vaksinimin nuk është raportuar, sipas CDC.

Pas autorizimit të vaksinës, u administruan tetë milionë doza dhe efektet anësore serioze u raportuan rrallë, thuhet në raport.

Rezultatet e studimit sugjerojnë se tek fëmijët pas vaksinimit me Pfizer mund të priten reaksione kryesisht lokale dhe sistemike, më shpesh pas dozës së dytë.

Efektet anësore më të zakonshme pas vaksinimit përfshinin dhimbje në vendin e injektimit, lodhje ose dhimbje koke. Temperatura u shfaq më shpesh pas dozës së dytë të vaksinës.

Kushtet më të zakonshme të raportuara dhe gjetjet diagnostike midis efekteve anësore serioze ishin ethet, të vjellat dhe rritja e troponinës. Janë raportuar edhe 15 raste me miokardit, prej të cilëve 11 janë konfirmuar. Shtatë prej tyre u shëruan, dhe katër ishin në proces rikuperimi në momentin e regjistrimit.

Miokarditi është një efekt anësor i rrallë dhe serioz dhe duket se shfaqet më shpesh te meshkujt e moshës 12 deri në 29 vjeç. Miokarditi te fëmijët e moshës pesë deri në 11 vjeç është i rrallë, shkruan CDC.

CDC thekson se vaksinimi mbetet mënyra më efektive për të parandaluar infeksionin me COVID-19. Vaksina Pfizer rekomandohet për fëmijët e moshës pesë deri në 12-vjeç dhe prindërit dhe kujdestarët duhet të informohen se mund të ndodhin reaksione lokale dhe sistemike pas vaksinimit.

CDC dhe FDA do të vazhdojnë të monitorojnë sigurinë e vaksinës dhe do të përditësojnë udhëzimet dhe rekomandimet në lidhje me vaksinimin kundër COVID-19 në kohën e duhur./TV Malisheva

Share.