Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve ka bërë të ditur se ka përfunduar procesi i shqyrtimit të aplikacioneve të tatimpaguesve për subvencionimin e pagave dhe qirasë, si dhe është bërë ekzekutimi i mjeteve për tatimpaguesit të cilët kanë plotësuar kriteret e vendosura në vendimin e Qeverisë së Kosovës.
Procesi i aplikimit nga ana e tatimpaguesve përmes platformës EDI ka përfunduar më 11 maj, ndërsa procesi i shqyrtimit dhe ekzekutimit është përmbyllur më 16 qershor.
Nga këto subvencione kanë përfituar 24.826 tatimpagues, ku 23.153 prej tyre kanë përfituar nga subvencionet për paga dhe 1.673 kanë përfituar nga subvencionet për qira.
Ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, ka themeluar Komisionin e Ankesave, si instancë të shkallës së dytë për shqyrtimin e ankesave të ushtruara kundrejt të gjeturave të Komisionit Ndërministror, të konstituuar me vendim të kësaj ministrie.
Komisioni do të shqyrtojë ankesat e tatimpaguesve, sipas afateve, kritereve dhe procedurave të përcaktuara me Ligjin për Procedurën e Përgjithshme Administrative.
Komisioni, për të vlerësuar ankesat e parashtruesve përgjatë fazës shqyrtuese, merr për bazë kriteret e zbërthyera me vendimin e datës 21.04.2021 të Qeverisë së Kosovës, si dhe kriteret e saktësuara të Komisionit Ndërministror, konform paragrafit 10 të vendimit qeveritar, thuhet në komunikatë.
Tatimpaguesit ankesat e tyre te ky komision mund t’i dërgojnë vetëm në formë elektronike në adresën: [email protected]. Afati për dorëzimin e ankesave është deri më 25 qershor 2021. /TV Malisheva