Dy këngëtaret shqiptare, Dua Lipa dhe Rita Ora, kanë kërkuar nga kompania Apple që të vendoset Kosova në hartë.
Një veprim i tillë ka inspiruar edhe artistë të tjerë, të cilët iu bashkëngjitën thirrjes, ndërsa u krijua edhe një peticion, që po mbështetet në masë të madhe.
Sidoqoftë, ajo çka ngjalli më se shumti reagime ishte postimi i flamurit “Autochthonous” nga Dua Lipa, në rrjetin social Tëitter.
Kjo shkaktoi reagime dhe fyerje të shumta kryesisht nga komentuesit serbë, duke bërë mjaft të përhapur këtë postim të saj.
Sipas ekspertit të sigurisë, Agim Musliut, kjo është një nga hallkat e luftës hibride ruse të Kremlinit në Ballkan, dhe veçmas ndaj Kosovës dhe qytetarëve të saj.
Në një intervistë Musliu thotë se rusët asnjëherë nuk kanë shikuar për argumente kur kanë sulmuar dikë.
“Emri i madh që kanë këto këngëtaret tona që kanë krijuar popullaritet botëror, e ka vënë më shumë në spikamë këtë lajm. Për tu shprehur me terminologji artistike, duhet thënë se, kjo orkestër e reagimeve serbe e ka dirixhentin në Kremlin, kurse violina e parë është regjisori serbo-kanadez Boris Malagurski”, thotë Musliu.
Mediumi më i madh shtetëror serb “Russia Today”, ka botuar një shkrim bazuar në një postim të rrjeteve sociale të Malagurskit, ku e quan Dua Lipën përkrahëse të terrorizmit, kur ajo botoi hartën etnike shqiptare, me flamurin kombëtar në prapavijë.
Musliu thotë se, fakti që “Russia Today” sulmon në këtë mënyrë, nuk dallon asgjë nga sulmi që i është bërë luftës se Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
“Rusët, asnjëherë nuk kanë shikuar a kanë argumente kur e kanë sulmuar dikë. Për ta është me rëndësi që ta gjejnë një fjalë të madhe, si: fashizëm, terrorizëm, trafikim me organe, spastrim etnik, masakër etj., dhe kështu trumbetojnë përmes mediave të tyre”, thotë ai.
Sipas tij, Boris Malagurski, duke qenë tradhtar i popullit të tij – atij serb, është vetëm një vegël në shërbim të Rusisë.
“Në demonstratat e para 15 ditëve në Beograd, ishte pikërisht Malagurski që bënte ftesë për demonstrata të dhunshme si pjesëmarrës i tyre, kurse të nesërmen raportonte për Russia Today. Kështu që, e njëjta po ndodh këtu: njëherë Malagurski organizon sulme të fabrikuara në rrjete sociale kundër Dua Lipës, por të nesërmen kjo bëhet lajm”, nxjerrë paralelen Musliu.
Megjithatë, ai shton se ka një dallim të madh sa i përket propagandës ruse, kur ajo e trajton Kosovën dhe Serbinë.
“Kur mediat e Putinit e sulmojnë Serbinë, ato e kanë fokusin te orientimi ideologjik i Serbisë, kurse kur e sulmojnë Kosovën, atëherë bëhet fjalë për vet qenien e shqiptarëve”, potencon ai.
Eksperti i sigurisë thotë se ky sulm duhet ta vetëdijësojë edhe komunitetin artistik në Kosovë, i cili sipas tij, është shkëputur paksa nga rrjedhat e përgjithshme shoqërore.
“Me luftën hibride, rusët kur e sulmojnë një personalitet, kjo do të thotë se ata po e sulmojnë qenien kombëtare të tij. Nuk e kanë rusët dertin e një njeriu të vetëm në këtë rast. Por, unë do të bëja thirrje që vet komuniteti artistik në Kosovë, të tregojë diçka më shumë në këso raste. Kosova nuk merr pjesë as në Eurovizion mu për shkak të ndikimit që e ka Rusia e Serbia aty. Shikoni, ata nuk na zgjedhin cilin nga ne sulmojnë, por goditjet e tyre na lëndojnë të gjithëve”, përfundon ai.
Ndryshe, këngëtarja me famë botërore, Dua Lipa, ditë më parë ka shpërndarë në llogarinë e saj në Instagram flamurin autokton të vendit, ku karshi tij ka dhënë edhe shpjegimin e fjalës “autokton”, gjë që ka ngjallur reagime të shumta nga ana e serbëve.
Si rrjedhojë, është shkaktuar një përplasje e madhe në rrjetet sociale në mes shqiptarëve dhe aleatëve në njërën anë, dhe serbo-rusëve në anën tjetër./Tv Malisheva