Byroja Kosovare e Sigurimit(BKS) ka qenë cak i sulmeve kibernetike me ‘ransomware’. Këto sulme po konsiderohen si më të rrezikshmet, meqë sulmuesit kanë një kopje të të dhënave të qytetarëve. Edhe në rastin e BKS-së po vlerësohet se të dhënat e klientëve janë të rrezikuara dhe se ky institucion duhet të njoftojë se për cilën kategori të të dhënave, qytetarët duhet të ndërmarrin masa.
Drejtori i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë, Mentor Hoxhaj thotë se çdo ditë ka viktima të sulmeve të shumta kibernetike.
“Kryesisht sulmet të cilat janë më të suksesshmet dhe më të rrezikshmet janë sulmet me ransomëare. Realisht në këtë rast tek ‘ransomware’ kemi infektim të të dhënave të cilat enkriptohen. Në të kaluarën sulme të tilla kibernetike kanë pasur si pasojë vetëm enkriptimin e të dhënave. Tani kur themi së fundmi, viteve të fundit, shohim që sulmuesit jo vetëm që infektojnë pajisjet dhe infektojnë të dhënat, por tani edhe kanë një kopje të të dhënave të tyre. Kjo për të bërë sulmin edhe më të rrezikshëm dhe me pasoja sa më të mëdha”, deklaron ai.
Pas sulmeve me ‘ronsomware’, Hoxhaj shton se të dhënat janë në duart e keqbërësve.
“Në të kaluarën keni mundur vetëm të humbni të dhënat, nëse nuk keni paguar ransomin, tani jo vetëm që mund të humbni të dhënat por edhe të dhënat janë në duart e keqbërësve që më pastaj shihen kryesisht në black market e tek personat të cilët kanë qëllime jo të mira ndaj klientëve të cilit do prej atyre që janë sulmuar. Në rastin konkret, nëse flasim për Byronë Kosovare të Sigurimit, të dhënat e klientëve janë të rrezikuara”,shton ai.
Sipas tij, pasojat janë të mëdha, përfshirë edhe ato financiare nga keqpërdorimi i të dhënave bankare.
“Nëse flasim për të dhëna bankare, atëherë të gjithë ata të cilëve u janë rrezikuar të dhënat bankare, të dhënat mund të keqpërdoren dhe të dhënat e tyre mund të kenë pasoja jashtëzakonisht të mëdha financiare”,shprehet ai.
Drejtori i Organizatës për Siguri Kibernetike dhe Privatësi në Kosovë vlerëson se Byroja Kosovare e Sigurimit duhet të tregojë se cilat të dhëna janë të rrezikuara.
“Byroja Kosovare e Sigurimit duhet të tregojë se cilat të dhëna janë të rrezikuara. Nëse flasim për të dhënat bankare, duhet që të gjithë qytetarët të njoftojnë bankat e tyre për të ndërruar të dhënat e tyre bankare. Nëse flasim për fjalëkalime, duhet të tregojë që janë rrezikuar fjalëkalimet dhe se çdo qytetar duhet të ndërrojë fjalëkalimet. Duhet të jemi të qartë për kategoritë e të dhënave të cilat janë të rrezikuar dhe varësisht prej kategorisë së të dhënave që janë të rrezikuara duhet edhe të ndërmerren masat përkatëse”, shprehet ai.
Sipas Hoxhajt, sulmet me ‘ransomware’ janë të shpeshta në pesë vitet e fundit, ku një kopje e të dhënave është në dorën e sulmuesve.
/TV Malisheva