Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama e cilëson një goditje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit sulmin në spitalin e Gazës të ndodhur një ditë më parë, në të cilin ndërruan jetë mbi 500 persona.
Kreu i qeverisë shqiptare në një reagim në X, kërkon hetim të fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj ngjarjeje të rëndë, ndërsa thekson se kjo është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike.
“Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën. Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e lëvizshme të kujdesit mjekësor nuk preken”, tha Rama.
“Nuk ka asnjë justifikim, në asnjë rrethanë, për goditjen e infrastrukturës spitalore, civilëve dhe ekipeve mjekësore. Deklarata e kryeministrit Netaniahu se kjo masakër u krye nga vetë Hamasi është drithëruese, por nuk mjafton për ta ndarë të vërtetën nga pretendimet e palëve ndërluftuese. Prandaj të gjitha faktet e mundshme duhet të mblidhen dhe të provohet autorësia e kësaj goditjeje të tmerrshme në themelet e vetë njerëzimit”, shtoi kryeministri shqiptar.
“Hamasi është një kancer në trupin e njerëzimit, por kjo nuk mjafton as për t’i mbyllur sytë përballë pamjeve rrënqethëse të gërmadha të spitalit të bombarduar dhe as për t’u mjaftuar me deklaratën shumë tronditëse të kryeministrit të Izraelit. Në këtë luftë Shqipëria dhe e gjithë bota demokratike është e përcaktuar në anën e Izraelit të goditur barbarisht nga mizoria e terroristëve të Hamasit! Por bota demokratike duhet të jetë po ashtu garante e të vërtetës për qindra e qindra viktimat e spitalit të bombarduar në Gaza. Prandaj hetimi i fakteve për nxjerrjen e autorëve të kësaj vrasjeje masive dhe dënimi pa asnjë ekuivok i tyre është përgjegjësi e padiskutueshme e detyrim i pashmangshëm i botës demokratike ndaj mbarë njerëzimit”, tha Rama.
Kujtojmë se një ditë më parë, spitali Al-Ahli në Gaza u godit me raketë, duke shkaktuar 500 civilë të vdekur dhe qindra të plagosur.
Spitali ishte i mbushur me të plagosur dhe me palestinezë të tjerë që po kërkonin strehim kur ndodhi sulmi i rëndë, ende pa një autor.
Hamasi dhe Izraeli akuzojnë njëri-tjetrin për sulmin, ndërsa ushtria izraelite ka publikuar një video të momentit kur raketa bie mbi spital, duke pretenduar se është një raketë palestineze. Presidenti palestinez Mahmoud Abbas ka shpallur tre ditë zie pas sulmit.
Është thellësisht tronditëse të shohësh pamjet e goditjes me bombë të spitalit Al-Ahli në Gaza, ku qindra e qindra njerëz u masakruan e humbën jetën.
Sipas ligjeve ndërkombëtare po edhe zakoneve të luftës, të sëmurët e të plagosurit, spitalet, personeli mjekësor dhe objektet e… pic.twitter.com/WLtvsrQg8e
— Edi Rama (@ediramaal) October 18, 2023
/TV Malisheva