Shefja e Misionit të Fondit Monetar Ndërkombëtar (FMN) Yan Sun deklaroi sot i ka paraqitur qeverisë shqiptare komentet dhe shqetësimet lidhur me amnistinë fiskale.

Në përfundim të vizitës 2-javore shefja e misionit të FMN-së, në Tiranë, Yan Sun, në një konferencë të përbashkët me ministren e Financave dhe Ekonomisë, Delina Ibrahimaj dhe Guvernatorin e BSH-së, Gent Sejko, tha se amnistia mund të konsiderohet si dëmtim për moralin tatimor.

“Ne shqyrtuam ligjin e propozuar për amnistinë fiskale të nxjerrë për konsultim publik në qershor. Projektligji ka të ngjarë të dëmtojë moralin tatimor. Amnistia fiskale mund të konsiderohet si një kartë “dalje nga burgu” për shmangësit e mëdhenj të taksave, sepse përfshin një falje të konsiderueshme të taksave, përveç heqjes së plotë të interesit dhe gjobave dhe dhënies së imunitetit efektiv nga ndjekja penale dhe inspektim i mëtejshëm nga forcat e zbatimit të ligjit për sa i përket burimit të fondeve që do të amnistohen. Qeveria duhet të ndryshojë amnistinë fiskale me një program deklarimi vullnetar (PDV), i cili nuk i përjashton nga të gjitha detyrimet tatimore”, tha ajo.

Një projekt për deklarim vullnetar duhet të zbatohet vetëm kur plotësohen disa kushte.

“Një administratë tatimore moderne, kompetente dhe e mirëinformuar dhe me mjetet e duhura të kontrollit dhe zbatimit të ligjit, dhe kjo aftësi i është demonstruar publikut për të siguruar që ka një rrezik të besueshëm zbulimi. Kjo duhet të ekzistojë për të krijuar besimin se shmangësit e taksave që nuk deklarojnë do të ndiqen dhe ndëshkohen dhe se nuk do të ketë një PDV të mëtejshme; një kornizë efektive për luftën kundër pastrimit të parave dhe luftën kundër financimit të terrorizmit LPP/LFT që është në gjendje të zbusë rreziqet e PDV”, shtoi Sun.

Sipas saj, në shumë vende në zhvillim dhe me të ardhura të ulëta, parakushtet për një PDV të suksesshme nuk përmbushen.

“Në rastin e Shqipërisë, ndërsa Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka bërë progres, kapaciteti i saj i auditimit dhe hetimit mbetet ende i dobët, performanca e saj në mbledhjen e të ardhurave është e ulët, ndërsa shumë vlerësime nga auditimet mbeten të pambledhura, ka akses të pamjaftueshëm automatik në të dhënat e palëve të treta, veçanërisht informacionin e llogarive financiare. Shqipëria ende ka mangësi strategjike për LPP/LFT”, deklaroi Sun. /atsh

/TV Malisheva

Share.