Supa përveç shijes ka edhe vlera për shëndetin e organizmit të cilat lidhen direkt me funksionin e duhur të organeve.
Me copa mishi, karota dhe kos, kjo supë do të kthehet në të preferuarën tuaj.
Ndiqni këshillat dhe përgatiteni plot shije për të dashurit tuaj dhe do t’i kënaqni nepsin me diçka perfekte.
Përbërësit:
200gr mish pule
4 karota
2 lugë gjelle vaj
2 lugë kos
1 vezë
1 filxhan kafeje me makarona të vogla për supë
Majdanoz
Përgatitja
Si fillim vendosni një tenxhere me 2 litra ujë apo lëng perimesh në zjarr që të ziejë.
Ndërkohë pastroni mishin dhe qëroni e grini në feta apo kubikë karotat e nevojitura në recetë.
Kur të shihni që uji ka kthyer valë hidhni copat e mishit dhe lërini të ziejnë pak derisa mishi të marrë ngjyrë të bardhë.
Nëse krijohet ajkë në formën e shkumës në sipërfaqe të ujit largojeni me ndihmën e një luge.
Tani AgroWeb.org ju këshillon që të shtoni karotat e prera dhe jepini shije me kripë dhe erëzat tuaja të preferuara.
Provoni nëse mishi është zbutur dhe largojeni nga uji dhe lëreni të ftohet pak.
Ndërkohë tek supa shtoni makaronat e vogla të cilat mund t’i përzgjidhni si të doni përsa i përket formës së tyre.
Mishin e pulës ndajeni në fije dhe shtojeni përsëri tek tenxherja dhe lërini që të ziejnë edhe për 10 minuta të tjera.
Në një tas thyeni vezën dhe rriheni bashkë me kosin derisa të formoni një salcë të plotë.
Tek tasi hidhni pak nga lëngu i supës ngadalë në mënyrë që kur ta shtoni vezën tek supa të mos pritet.
Pasi të keni kryer edhe këtë hap lëreni supën sa të kthejë valë dhe largojeni nga zjarri.
Grini imët një tufë majdanoz dhe hidhjani supës më pas mund ta shërbeni. /TV Malisheva