Qeveria e Kosovës ka prezantuar platformën “Super Puna”, e cila ka për qëllim punësimin e të rinjve. Për këta të fundit që punësohen për herë të parë, shteti do të subvencionojë pagën minimale.
Kryeministri Albin Kurti tha se vitin e kaluar janë zbatuar skema, me qëllim të punësimit të shumë kategorive.
“Nga sot po fillojmë pilotimin e skemës, nga kjo qeveria do të subvencionojë 264 euro për gjashtë muaj. Duke u ofruar të rinjve mundësi për të zhvilluar aftësitë e tyre, do të rritet edhe më tej ekonomia e vendit. Rininë e kemi aset të së tashmes, e potencial të së ardhmes”, ka thënë ai.
Ministri i Financave, Hekuran Murati theksoi se kjo skemë mundëson punësimin për të rinjtë dhe subvencionimin e pagës për gjashtë muaj.
“Mundësia është që punëdhënësi të shtojë mbi këtë shumë. Synimi ynë do të jetë që përmes kësaj platforme, që të kemi mbështetjen e 10 mijë vendeve të punës për të rinjtë prej 18 deri më 25 vjeçare. I punësuari për gjashtë muaj do të marrë pagë të garantuar nga shteti. Çka kemi bërë për të lehtësuar këtë proces? Kemi bërë një platformë automatike që automatizon shumicën e proceseve”, u shpreh ai.
/TV Malisheva