Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ka deklaruar sot se Prokuroria e Kosovës dhe gjykatat janë treguar të papërgjegjshme për të dyshuarin, Dardan Krivaqa, për krimet e mëhershme.
Këto deklarata Sveçla i bëri pasi doli të priste protestuesit që po kërkonin trajtim me urgjencë të vrasjeve të grave, pas vrasjes së 18-vjeçares, Marigona Osmani në Ferizaj.
Ndonëse u injorua nga protestuesit të cilët i brohoritën të ikte, Sveçla tha para gazetarëve se policia u soll siç duhet me të dyshuarin për vrasjen e Marigona Osmanit, Dardan Krivaqën.
Duke shprehur mbështetjen e tij për kërkesat e protestuesve, ministri i Punëve të Brendshme tregoi se me cilin slogan të tyre nuk pajtohet.
“Ministria i ka duart me gjak’ është çështje për të cilën unë nuk mund të pajtohem. Mos të harrojmë se policia me një angazhim të jashtëzakonshëm ka bërë arrestimin e këtij krimineli kaq të rrezikshëm. Ai është arrestuar 135 herë më herët, do të thotë Policia e Kosovës në raport me këtë kriminel është sjellë ashtu siç është kërkuar, se si janë proceduar lëndët, është çështje e hetimit, por sipas indicieve të para, janë dy hallka të tjera të cilat kanë qenë të papërgjegjshme, ajo është Prokuroria dhe gjykatat”, tha ai.
Sveçla tha se ka marrë të gjitha veprimet e nevojshme në lidhje me vrasjen e Marigona Osmanit, derisa shtoi se është me rëndësi që kushdo që është fajtor të identifikohet dhe të vihet para drejtësisë.
“Kam kërkuar nga Inspektorati Policor i Kosovës inspektim urgjent të të gjitha veprimeve të Policisë së Kosovës në këtë rast, por jo vetëm, inspektim i përmbushjes së procedurave ligjore në rastet e dhunës në familje për vitin 2020 deri në ditën e djeshme si dhe kam krijuar grupin punues brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë… që do të hetojë në detaje të gjithë lëndën e vrasësit të Marigonës dhe bashkëpunëtorit të tij, që nga shkelja e parë e tyre ligjore deri tek vrasja e Marigona Osmanit”, tha ministri teksa shtoi se aftat për këto punë janë urgjente.
Rrjeti i një sërë organizatash për të drejtat e grave ka mbajtur sot në Prishtinë marsh protestues, pas vrasjes së 18-vjeçares Marigona Osmani në Ferizaj. Ata kanë paraqitur kërkesat e tyre para Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe para Qeverisë së Kosovës, duke kërkuar trajtimin me urgjencë për të gjitha vrasjet e grave në Kosovë, si dhe parandalimin e dhunës ndaj grave dhe femicidit./TV Malisheva