Në Gjykatën Themelore të Prishtinës është duke u mbajtur seanca përfundimtare në procesin gjyqësore i njohur si rasti “Syri i Popullit”.

Në fjalë përmbyllëse të tij prokurori i rastit, Sylë Hoxha ka kërkuar të lirohet nga aktakuza e akuzuara Lirije Luzha dhe Sabit Berisha në mungesë të provave.

Me kërkesë të kryetare së trupit gjykues, Naime Krasniqi Jashanica seanca është e hapur për publikun por nuk lejohet të merren pamje nga mediat.

Avokati mbrojtës i të akuzuarit, Sadri Ramabaja, Ramiz Krasniqi tha se ajo çka mund të dal nga fjala e prokurorit është se aktakuza është e pabazuar në argumente juridike dhe faktike. Sipas tij ky rast është i montuar për qëllim të caktuara.

Krasniqi tha se ajo ka frikë se ky proces gjyqësor do jetë i ndikuar politikisht pasi siç tha ai është ndihmuar nga krerët shtetërorë.

Krasniqi: Nëse nuk janë të ndikuar pres aktvendim lirues

 

“Unë paraqita fjalën përmbyllëse dhe argumentova se asnjë fakt i vetëm nuk është vërtetuar se Sadri Samabaja është pjesë e kësaj organizate siç quhet terroriste. Unë kam shpjeguar se rasti është i montuar nga persona të caktuar për qëllime të caktuara… Nga krejt ajo që u tha pres një aktvendim lirues, aktgjykimi lirues mund të vijë vetëm nëse gjyqi nuk është i ndikuar. Unë kam frikë që gjyqi do jetë i ndikuar sepse në këtë proces gjyqësor kanë ndihmuar krerë shtetërorë dhe që kanë bërë me gisht drejt të akuzuarve se këta janë fajtorë kanë kryer këtë vepër penale këta kanë dashur të na vrasin”, tha ai.

Krasniqi shtoi se trupi gjykues nuk ka qenë i pavarur duke filluar nga momenti kur pranoi urdhrin e presidentit të shtetit, Hashim Thaçi që seanca të mbahet e mbyllur.

Madje ai tha se pyetjet që i bëri Thaçi kanë qenë të ndaluara.

Krasniqi: Trupi gjykues është i ndikuar

 

“Unë mendoj që trupi gjykues nuk ka qenë i pavarur ka qenë i ndikuar nga krerët e shtetit më i ndikuar nuk e di si do të dukej kur kryetari i shtetit urdhëron të largohet publiku dhe mediat nga gjykimi dhe gjykata pa hezitim e pranon këtë propozim të kreut të shtetit, prandaj kryetari i shtetit shtron pyetje aso çfarë nuk i ka shkruar prokurori, të gjitha pyetjet që i ka shtruar Hashim Thaçi kanë qenë të ndaluara, prandaj këtu gjykata është dashur të intervenojë në këtë çështje”, tha Krasniqi.

Ai foli edhe për sjelljen e ish-kryetari të Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli i cili ka dëshmuar në këtë proces gjyqësor.

Krasniqi: Krerët e vendit i ofenduan të akuzuarit

 

“Ju i keni parë sjelljet e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, kryetari i institucionit më të lartë shtetëror e ka shkelur ligjin, kryetari i Kuvendit i ka sulmuar të akuzuarit i ka quajtur tradhtar i ka quajtur pleh e çdo epitet të mundshëm”, u shpreh avokati mbrojtës i të akuzuarit, Sadri Ramabaja.

Edhe për prokurorin e rastit Sylë Hoxha, Krasniqi tha se i ka qëndruar besnik personave të cilët i kanë thënë të ngrejë këtë aktakuzë.

Krasniqi: Prokurori nuk e mbronte ligji

 

“Prokurori ka qenë pjesë e dëshmitarit, prokuroi ka dëshmuar është besnik ndaj atyre që i kanë thënë ta bëjnë këtë aktakuzë, prokurori nuk e mbronte ligjin. Prokurori dëshmonte se ishte krah i dëshmitarëve që i kanë thënë për këtë aktakuzë”, u shpreh ai.

Deri tani fjalën e tyre përfundimtare e kanë dhënë të akuzuarit Avni Llumnica, Ragip Shillova, ndërsa duke filluar nga ora 13:00 fjalën e tij përmbyllëse do e jap i akuzuari, Sadri Ramabaja.

Në këtë rast akuzohen Avni Llumnica, Ragip Sallova, Sadri Ramabaja, Behxhet Luzha, Halim Halimi, Bajrush Konjusha, Murat Jashari dhe Rexhep Topllana për vepra penale përgatitje të veprave terroriste ose vepra penale kundër rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës së Kosovës.

Sipas aktakuzës, te akuzuarit thuhet se kishin planifikuar sulme dhe vrasje ndaj personaliteteve të larta shtetërore dhe ish-funksionarëve të viteve 1980-1991 duke i cilësuar si tradhtarë të vendit.

Këto sulme, sipas aktakuzës, ata kishin planifikuar t’i kryenin ndaj presidentit aktual të Kosovës, Hashim Thaçi, ndaj ish-kryetarit të Kuvendit, Kadri Veseli, ish-kryeministrit Isa Mustafa, Xhavit Halitit, Fatmir Limajt e të tjerë.

Share.