Superliga e Kosovës e ka kompletuar këtë të diel edhe xhiron e 35-të të saj. Kur ka mbetur vetëm edhe një ndeshje për t’u zhvilluar kanë mbetur shumë gjëra për t’u sqaruar në ndeshjen e fundit.
Lufta për t’i ikur ndeshjeve të barazhit për mbetje në Superligë është bërë edhe më e ashpër pas humbjes së Prishtinës nga Drita si dhe fitoreve të realizuara nga skuadrat tjera në këtë betejë si Dtenica, Malisheva dhe Dukagjini, raporton TV Malisheva.
Momentalisht, renditja në këtë pjesë të tabelës është shumë e ngushtë. Në vendin e tetë është e pozicionuar Malisheva me 47 pikë, një pozitë më lartë është Drenica me po aq pikë. Në vendin e gjashtë është kampioni aktual Prishtina me 48 pikë kurse me 49 pikë në vendin e pestë është Dukagjini.
Që të gjitha këto katër skuadra janë të përfshira në këtë betejë dhe gjithçka do të vendoset në xhiron e fundit.
Ja cilat janë duelet e javës së fundit për këto skuadra:
Malisheva dhe Dukagjini do të mes vete në “Liman Gega” në një betejë direkte, Prishtina e viziton Llapin në “Zahir Pajaziti”, kurse Drenica luan kundër Feronikelit që parashihet një rival i lehtë.