Mandatari për kryeministër nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti priti sot në takim partitë me të cilat synon të qeverisë, AAK-në dhe Nismës Socialdemokrate. Ky takim është mbajtur me qëllim të harmonizimit të programit qeverisës, pas nënshkrimit të koalicionit në mes këtyre tri partive.
Pas takimit, deputeti Endrit Shala nga Nisma, tha se sot kanë diskutuar për harmonizimin e programit, për çka tha se do të votohet në kuvend, sapo të vendos Gjykata Kushtetuese.
“Sot ka qenë një takim ndërmjet grupeve të LDK-së, Nismës dhe AAK-së si partner të koalicionit të ardhshëm. Takim ky i cili ka pasur për qëllim harmonizimin e programit qeverisës për qeverinë e cila do të votohet sapo të përfundojnë edhe çështja e Gjykatës Kushtetuese…Takimi i sodit ka pasur të bëjë me harmonizim të pikave programore të subjekteve tona politike, e kjo me qëllim që të bëjmë një program sa më të mirë qeverisës për qeverinë e cila do të zgjidhet tash”, u shpreh Shala.
Ndërsa, sekretari i AAK-së, Besnik Tahiri, i cili po synon postin e zëvendëskryeministrit, tha se ky takim nuk ke qenë “i jashtëzakonshëm”, por takim pune për planifikimin programor.
“Ishte një takim mes zotëri Hotit, përfaqësuesve të Nismës dhe përfaqësuesve të AAK-së, i sqaruam drejtimet edhe do të vazhdojmë komunikimin. Nuk kemi diçka të jashtëzakonshme, është takim pune”, tha Tahiri.
Ndër të tjera, Tahiri tha se kush do që synon që mundohet të interferoj në Gjykatën Kushtetuese e ka gabim.
“Lënda është në Gjykatën Kushtetuese dhe kush do prej akterëve politikë që komunikon, kush do prej akterëve politikë që kërcënon, kush do që mundohet të interferon në Gjykatën Kushtetuese e ka gabim. Dhe bie ndesh drejtpërdrejt me rregullin kushtetues dhe krejt arritjet që ka bërë ky vend”, ka deklaruar Tahiri.
Këto tri parti tashmë kanë arritur marrëveshje të koalicionit, mirëpo, pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese për pezullim të dekretit deri me 29 maj, thirrja e seancës mund të bëhet vetëm pas që të vendos Kushtetuesja./ Tv Malisheva