Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Abelard Tahiri ka deklaruar se do të propozojnë një draft-rezolutë që Kuvendi të marrë përsipër një agjendë që lidhet ekskluzivisht me Policinë e Kosovës.
Ai u shpreh se propozimin e kësaj draft-rezolute do ta bëjë në seancën e re të Kuvendit që do të mbahet ditën e enjte.
“Do të kërkojmë që Kuvendi të merr një agjendë specifike në raport me Policinë e Kosovës, që të përmbushen tri pika kryesore që lidhen me funksionalitetin, efikasitetin dhe ndjeshmërinë e PK-së”, u shpreh Tahiri.
Ai përmendi edhe tri pikat kryesore të kësaj draft-rezolute e të cilat lidhen me pagesën e shtesave për zyrtarët policorë, sigurimet shëndetësore dhe Ligjin për pensionim të parakohshëm.
“Kjo draft-rezolutë do ta obligojë Qeverinë që brenda një periudhe të caktuar të përfundoj shtesat që nuk janë paguar tash e tetë muaj për Policinë e Kosovës.
Pika e dytë do të jetë që nga 1 janari i 2024 të buxhetojë buxhetin për sigurime shëndetësore për Policinë e Kosovës dhe Ligjin për pensionim të parakohshëm të PK-së i cili duhet të hyjë në fuqi jo më pak se 30 ditë nga miratimi i kësaj rezolute”, ka deklaruar Tahiri i PDK-së.
Ndërkaq shefi i deputetëve të AAK-së, Besnik Tahiri ka theksuar se siguria në vend pas ngjarjeve të fundit kërkon një reflektim më serioz sepse po prekin funksionalitetin e shtetit.
Ai ka shtuar se AAK ka përfunduar mbledhjen e 40 nënshkrimeve për një seancë të jashtëzakonshme ku do të kërkojmë rritjen e koeficientit nga 105 në 129 euro.
“Të parët që do të preken janë Policët e Kosovëse shohim të rëndësishme që tani të kalojmë nga fjalët në vepra. Në këtë funksion besojmë që do të kemi mbështetje nga të gjithë deputetët edhe ata të shumicës”, tha ai.
/TV Malisheva